Deputeti i Aleancës për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës, Ilir Demiri, gjatë tubimit të Aleancës Kombëtare për Intergrim që u zhvillua sonte në Bogovinë, ka deklaruar se zgjedhjet që po zhvillohen nuk janë thjesht lokale, por në fakt përfaqësojnë një referendum politik me peshë të madhe për të ardhmen e vendit, njofton TS.
“Në dukje janë zgjedhje lokale, por në të vërtetë janë një referendum që ka shumë më shumë peshë sesa zgjedhjet lokale. Andaj, kërkoj përkrahjen tuaj”, – tha Demiri.
Sipas tij, Aleanca Kombëtare për Integrim, si pjesë e spektrit opozitar pro-evropian, ka një mision të qartë: të provokojë krizë parlamentare që do të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, me qëllim deblokimin e procesit të integrimeve evropiane.
“Kemi punuar me vite për orientimin e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit euroatlantik. Në këtë moment bllokade politike, ne kemi përgjegjësi të ndërmarrim hapa të qarta. Aleanca jonë është e vetmja që ofron një rrugëdalje reale,” – deklaroi ai.
Demiri theksoi se vendi ndodhet në një pikë kyçe, ku ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për të vazhduar negociatat me BE-në, dhe se vetëm me mbështetjen e qytetarëve mund të realizohet kjo.
“Pas këtij vendimi qëndrojnë investime, financime dhe mbështetje konkrete për përgatitjen e vendit drejt anëtarësimit në BE. Ky proces nuk është vetëm politik, por ka edhe peshë të madhe ekonomike – sepse ndalon shpërnguljen masive dhe hap perspektiva të reja për të rinjtë”, – shtoi ai.
Duke përmendur rolin historik të Ali Ahmetit në proceset e mëparshme politike, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe të Prespës, Demiri nënvizoi se sakrificat e bëra nuk kanë qenë të lehta, por të nevojshme për interesin e përbashkët dhe paqen në vend.
“Nuk kanë qenë marrëveshje të lehta, por kompromiset janë bërë për të ardhmen tonë. Dhe tani, përsëri, duhet të marrim një vendim politik që do të përcaktojë drejtimin e vendit për dekadat që vijnë”, përfundoi Ilir Demiri./TS