Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, sot ka emëruar Ilir Demirin për drejtor të ri të ISHP Spitalit Klinik Tetovë, në këtë pozitë ai vjen nga Klinika për sëmundje infektive dhe gjendje febrile, ku ka punuar si koordinator në Qendrën Covid-19, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Doktor Ilir Demiri, i cili është mjek specialist infektolog, me përvojë dhe bagazh të pasur pune, punon në Klinikën për Sëmundjet Infektive dhe Gjendjet Febrile që nga viti 2004. Nga viti 2007 është asistent në lëndën e sëmundjeve ngjitëse në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ndërsa në vitin 2020 fiton titullin mjek primar.
Drejtori i ri i Spitalit klinik të Tetovës është profesionist i dalluar dhe një nga punëtorët shëndetësorë më të përkushtuar që luftoi kundër COVID-19 që nga fillimi i pandemisë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Demiri, thuhet në njoftim, është fituesi i titullit “Personi i Vitit Europian 2020”. Ky titull u jepet personave që kanë dhënë një kontribut të veçantë në afirmimin e vlerave njerëzore dhe ndahet nga Lëvizja Evropiane dhe është një mirënjohje që vjen nga qytetarët.
Doktor Ilir Demiri është edhe anëtar i Shoqatës së Maqedonisë për sëmundje infektive, si dhe i Komisionit për sëmundje infektive.