Policia në qytetin e New Yorkut ka identifikuar “një person me interes” pas të shtënave me armë zjarri në mëngjesin e 12 prillit, si pasojë e të cilave janë plagosur 20 persona në një stacion metroje.
Policia ka thënë se është në kërkim të Frank R James, 62-vjeçar, në lidhje me sulmin, pasi ai ka marrë me qira një automjet, që mund të jetë i lidhur me të shtënat me armë zjarri.zeri.info
Çelësat e makinës së marrë me qira në Filadelfia janë gjetur në skenën e sulmit.
Detektivët e New Yorkut kanë thënë se janë duke kryer hetime.
Departamenti i Policisë së New Yorkut i ka bërë thirrje “secilit që ka informacione për këtë person” që të thërrasë zyrtarët policorë.
James nuk është shpallur i dyshuar për sulmin.
Kur zyrtarët amerikanë e konsiderojnë një person “me interes”, do të thotë se Policia beson se ai mund të ketë informacione për krimin.