A do të vazhdojnë qytetarët të paguajnë fatura arbitrare të energjisë elektrike?! Shoqata e Inxhinierëve paraqiti një peticion në Komisionin Rregullator duke kërkuar fshirjen e Nenit 31 të Rregullave të Furnizimit, i cili lejon lëshimin e faturave bazuar në konsumin e vlerësuar. Ata thonë se Ligji i ri i Energjisë nuk e lejon këtë, përveç rasteve kur matësi i energjisë elektrike nuk funksionon siç duhet.“Edhe pse kryetari i Komisionit rregullator pret ta zgjidhë këtë me një akt nënligjor, pra të ndryshojë Rregullat për Furnizimin me Energji Elektrike, ne besojmë se kjo nuk është e drejtë, sepse ndryshimi, zgjidhja e dispozitave ligjore me një akt nënligjor, në fakt është ndërhyrje në punën e Kuvendit dhe çështjet nuk duhet të zgjidhen në atë mënyrë. Prandaj, e vetmja zgjidhje mbetet zbatimi i ligjit në mënyrë konsistente”, tha Deniz Mustafaoglu, Shoqata e Inxhinierëve.
Nga Komisioni rregullator thonë se e kanë marrë ankesën dhe se do të përgjigjen.
“Ligji i ri i Energjetikës hyri në fuqi më 29 maj dhe në përputhje me detyrimet sipas tij, KRRE do të duhet të përgatisë akte të reja nënligjore, që do të thotë se do të miratohen edhe Rregulla të reja për furnizimin me energji elektrike”, thonë nga KRRE.
Nga ana tjetër, Komisioni rregullator kohë më parë hodhi poshtë idenë që EVN të lexojë matësit e rrymës një herë në muaj. Llogaritja tregoi se kjo do të kushtonte rreth 10 milionë euro në vit dhe do të rriste çmimin e energjisë elektrike për qytetarët për rreth 5%. Në vend të kësaj, është planifikuar që gradualisht të futen matësit inteligjentë në 2-3 vitet e ardhshme.
“Në nivel vjetor nga këto 10 milionë euro shtesë për blerjen e aparateve të reja për matje, çmimit fundor ndikimi do të ishte 0,1%, thuajse asnjë ndikim. Atë do ta bëjmë në periudhën e ardhshme, ta obligojmë EVN – elektro-shpërndarje të blejë edhe më shumë matës, që të mundemi në periudhë 2-3 vjeçare, diku ,mes 70-80% nga konsumatorët në shtet të kenë matës me matje në largësi”, deklaroi Marko Bislimovski, Kryetar i KRRE (23.05.2025).
Llogaritjet pa kriter krijuan një problem të madh këtë dimër, kur një numër i madh qytetarësh morën fatura dyfish më të larta për shkak të kalimit në bllokun e katërt ku energjia elektrike është më e shtrenjtë. Dhe ndërsa problemi po zgjidhet, Komisioni rregullator njoftoi se në faturën e ardhshme, qytetarët do të marrin udhëzime se si t’i lexojnë vetë matësit e tyre dhe të raportojnë. Faturat do të duhet të tregojnë gjithashtu nëse konsumi është llogaritur bazuar në një lexim real apo në një vlerësim.