Marrëveshja që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër është ligjërisht e detyrueshme edhe pa nënshkrim, ka thënë sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, Christopher Hill. Ai ka treguar se një nga elementët kyç të marrëveshjes është se detyrimet e të dyja palëve janë pjesë e procesit të integrimit evropian.
Ambasadori amerikan theksoi se është bërë e qartë se formimi Asociacionit të komunave me shumicë serbe është urgjent dhe i rëndësishëm, duke kujtuar se ky është një obligim që është pranuar para 10 vitesh nga Kosova, Serbia dhe BE-ja.
“Nga këndvështrimi i publikut serb, është shumë e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare, si BE-ja, të kenë një marrëveshje të cilës duhet t’i përmbahen dhe të sigurojnë zbatimin e saj”, tha Hill duke shtuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është e rëndësishëm për t’i ofruar komunitetit serb në Kosovë, siguri dhe të ardhme, shkruan Danas.
“Unë kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur asnjë nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë, por nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Pyetja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe kjo do të jetë interesante të shihet në javët dhe muajt e ardhshëm”, shtoi Hill.
Ndryshe, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është arritur marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve. Megjithatë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara.