Edhe përkundër reagimeve në opinion pas votimit të Maqedonisë së Veriut në OKB, kundër të drejtës për vetëvendosje të popullit palestinez, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut hesht kur pyetet se çfarë përfaqëson vendi me këtë votë, shkruan Portalb.mk.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme nuk e ka parë të arsyeshme të deklarohet rreth votimit në OKB.
Nga MPJ, edhe pas insistimit të Portalb-it, deri në momentin e publikimit të tekstit nuk i janë përgjigjur pyetjeve gazetareske, konkretisht:
Kë e përfaqëson Maqedonia e Veriut me votimin e saj në OKB dhe se për të njëjtin qëndrim a është konsultuar edhe me institucionet tjera si Qeveria, Presidenca apo Kuvendi?
Në ndërkohë, vota kundër e RMV-së në OKB kundër vetëvendosjes së popullit palestinez, ka nxitur reagime të shumta në opinion, nga politikanët dhe sektori civil.
Sipas deputetes së koalicionit VLEN, Imerlije Saliu votimi kundër rezolutës së OKB-së për të drejtat e palestinezëve është zhgënjyes.
“Duke u rreshtuar kundër shumicës dërrmuese, vendi ynë duket se shpërfill të drejtën e vetëvendosjes dhe nevojën për t’i dhënë fund pushtimit izraelit. Si pjesëtare e një kombi që në Luftën e Dytë Botërore shpëtoj hebrenjtë, ndërsa sot po për ato arsye e gjykoj si gjenocid atë që ndodhë në Palestinë, unë si deputete e Kuvendit të RMV distancohem nga një vendim i tillë i RMV për mbështetjen e këtij gjenocidi, votimin kundër e shohë si shqetësim serioz në qëndrimin e vendit tonë ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut”, shkruan deputetja Saliu, duke shtuar se Qeveria duhet të shpjegojë këtë votim të paprecedentë dhe të rishqyrtojë pozicionin e saj.
Profesori universitar Murat Aliu për Portalb.mk vlerëson se votimi i RMV-së në OKB është vazhdimësi e një tradite të gjatë diplomatike të shtetit që të qëndrojnë pranë shtetit izraelit.
“Arsyet e këtij qëndrimi pro-izraelit mund të jenë të shumta, por ajo që botërisht dihet është partneritetit i Maqedonisë me SHBA-të-fakt ky që nënkupton një mbështetje e pa rezervë për shtetin e Izraeli. Është një vendim skandaloz dhe larg normave etike e morale, kur kemi parasysh masakrat, madje mundë themi gjenocidin që ushtrohet kundër popullsisë së pafajshme palestineze. Së këndejmi, ky vendim pas asnjë dyshim meriton dhe duhet dënuar nga qytetarët e Maqedonisë, shumica të cilëve janë pro një populli të pafajshëm”, tha Aliu.
Në ndërkohë, avokatja dhe aktivistja civile Mersiha Smailoviç ka thënë se “Maqedonia sërish mbështet gjenocidin dhe pushtimin e Palestinës. Përgjegjësi! Dorëheqje!”
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi, së bashku me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Zvicrën, Suedinë, Danimarkën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Lituaninë, Ukrainën, Serbinë, Shqipërinë, Kanadanë, Indinë, Australinë, dhe vende të tjera.
Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.