Pritjes së gjatë disavjeçare i erdhi fundi dhe prej sot edhe zyrtarisht, banorët e Komunës së Likovës do të kenë mundësi të pijnë ujë nga çezmat e oborreve të veta.
Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi tha se kjo ditë është historike dhe do të mbahet mend gjatë.
Arifi ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët për përkushtimin, sipas tij, sot përfundon padrejtësia shekullore që u është bërë banorëve të kësaj ane.
“Nga sot, banorët e komunës sonë do të kenë ujë të pastër për pije edhe atë duke filluar nga fshati Likovë, Orizar, Sllupcan, Vaksincë, Llojan, Matec, Vishticë dhe Nikushtak ndërsa për dy fshatra të tjerë jemi në proces e sipër ku mjetet janë siguruar dokumentacioni teknik është siguruar dhe do e përmbyllim një kapitull një padrejtësi shekullore për banorët e Komunës sonë. Dua të theksoj se pa kryetarin Ali Ahmeti ky projekt nuk do mund të përfundohej”, deklaroi kreu i komunës Erkan Arifi.
Se çështja e ujit është stërzgjatur e pranon edhe vet ish kryetari i Komunës së Likovës, tani deputet, Sadulla Duraku. Megjithatë, Duraku për këtë stërzgjatje akuzon misionin “sllav”. Vet Duraku e thotë se për këtë çështje është diskutuar prej kur ai ka pasur 5 vjet.
“Një kohë të gjatë jemi përpjekur e gjithë popullata e kësaj ane padrejtësisht i është marrë uji nga ky vend. Misioni i sllavëve ka qenë që këtë vend ta shpërngulin nga këto troje por ama falë gjyshërve dhe stërgjyshërve tonë që na edukuan që të jemi në këtë vend. Edhe pse jemi në shekullin 21 dhe të flasim për ujin ndoshta për njerëzit që merren me cështje të shkencave më të mëdha ju duket e pakuptuar, për botën e civilizueshme duket e pakuptueshme por për neve është shumë e kuptueshme për arsye se unë kam mbushur 65 vjet prej kur kam ditur, 5-6 vjet gjithmonë është folur se në këtë vit do e bimë ujin”, theksoi deputeti Sadulla Duraku.
Në përurimin e projektit të ujësjellësit veç Arifit e Durakut dhe banorëve, morën pjesë edhe Ali Ahmeti, Faton Ahmeti, Blerim Bexheti dhe zyrtarë tjerë të BDI-së./ Mevludin Imeri /SHENJA/