Sinjali ka raportuar sot se banesa e ministres Rozeta Hajdari, ka qenë cak i vjedhjes.
Në raporton 24 orësh të Policisë së Kosovës, te njoftimet ‘Vjedhje e rëndë’, ka një njoftim që thotë kështu, përcjell Periskopi:
“Prishtinë. 01.10.2023 – 08:00. Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur kanë depërtuar në banesën e saj dhe nga aty kanë kryer vjedhje. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore”
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije detaje se si hajni u fut në banesën e ministres Hajdari, u “zatet” me të dhe u zhduk para syve të saj, bashkë me gjësendet që kishte “avulluar”.
Denoncimi i ministres aktivizoi Policinë dhe si rezultat ka dhënë deklaratën e saj si viktimë e rastit, ndërkohë që tashmë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.
Por si ndodhi gjithçka në pikë të mëngjesit?
Sinjali mëson se vjedhja dyshohet se është kryer rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur personi i dyshuar ishte futur në banesën e ministres dhe ua vuri syrin gjësendeve me vlerë e dokumenteve të Hajdarit.
Ndonëse nuk dihet se si arriti të futej në banesë, nëse dera ishte e hapur apo hajni posedonte çelës të banesës, i dyshuari teksa po kryente vjedhjen ia “prishi” gjumin ministres dhe e njëjta e kapi në flagrancë, raporton Sinjali.
Por Hajdari nuk arriti ta ndalojë, pasi hajni u zhduk para syve të saj, bashkë me stolitë në vlerë të rreth 2500 eurove, që dyshohet se hajni arriti t’i gjejë në banesën e saj.
Sipas të njëjtave burime, përveç stolive të vjedhura, në dëshminë që ministrja ka dhënë para hetuesve policorë, kuptohet se hajduti ia ka vjedhur edhe disa dokumente personale, që përfshijnë kartela bankare – madje edhe të MINT.
Raportimi i rastit vuri në lëvizje njësitë përkatëse, që kryen ekzaminimet e nevojshme në banesën e Hajdarit dhe pas dhënies edhe të deklaratës së saj, është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit.
Me vendim të tij, është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe është urdhëruar ndërmarrja e të gjitha veprimeve të nevojshme për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e rastit.