Kryetari Lëvizjes Besa, Billall Kasami, prezantoi sot “transferin” më të ri në partinë e tij.
Fatmir Limani, dikur në radhët e BDI-së, prej sot edhe zyrtarisht është pjesë e Lëvizjes Besa.
Po a ka integristë të tjerë të pakënaqur, që njohur si “Grupi i Zjarrit”, që mund aderojnë në Besë?
Kasami thotë se janë në komunikim me shumë aktivistë dhe se së shpejti do t’i publikojnë emrat e bashkëpunëtorëve të rinj.
“Ne kemi qenë në komunikim permanent me shumë aktivistë, një ndër ata kryesorët është edhe Limani, me të cilin sot edhe e publikojmë bashkëpunimin për të ardhmen dhe gjithë ata të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt të Fatmirit, një pjesë janë në mesin tonë, të tjerët ditëve në vijim do të jenë pjesë e aktiviteteve tona deri në organizim të kongresit, por se kush do të jetë, si do të jetë në të ardhmen, mbetet në të ardhmen që ata zhvillime t’i prezantojmë para opinionit”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Limani i pyetur se përse nuk themeloi një parti të re, por vendosi t’i bashkohet Besës, tha se nuk ka dashur të bëjë më shumë përçarje.
“Jam përpjekur që të mos luaj rolin dhe të bëhem pjesë ose hise e gjithë atyre që kyçen diku për të shkaktuar përçarje”, theksoi Fatmir Limani.
Në zgjedhjet e fundit lokale, Fatmir Limani, kandidoi për të parin e Kërçovës, por nuk arriti të kalojë as në rrethin e dytë, në të cilin kandidati i BDI-së u përball me atë të VMRO-DPMNE-së.
Limani është larguar nga BDI, për shkak se siç ka deklaruar, ka parë elemente të shkrirjes së BDI-së në LSDM, andaj edhe është tërhequr nga kjo parti.