Ish-Kryeministri Nikola Gruevski, gjatë një interviste për gazetën serbe “Politika” ka theksuar se shumica në Maqedoninë e Veriut druajnë nga kthimi i tij eventual.
Ai është shprehur i prerë se nuk kthehet në vend, siç thotë, derisa gjyqësori është në kthetrat e Zaevit, kurse Mickoski është aleati i tij.
Gruevski ka komentuar edhe akuzat në adresë të BDI-së se po punon për kthimin e tij në vend, madje duke përmendur 23 tetorin si datën e kthimit.
“Deklaratat e politikanëve shqiptar dhe maqedonas janë të afërt me folklorin e Mickoskit dhe Zaevit. Këtë jemi duke e parë tashmë rreth një muaji. Politikanët e papjekur mendojnë se përjetësisht do të jenë të fuqishëm” tha Nikolla Gruevski për ”Politika”.
Në intervistën për median serbe, Gruevski riafirmon qëndrimin se ekziston një bashkëpunim midis ish-Kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski. Sipas tij, konfirmimi për marrëveshjen Zaev – Mickoski është bërë nga Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski I cili gjatë një interviste ka theksuar se në selinë partiake të socialdemokratëve, Zaevi e ka njoftuar udhëheqësinë e LSDM-së për përmbajtjen e bisedimeve me Mickoskin.