Greqia ka bërë të ditura masat drastike, përfshirë lehtësimin e taksave dhe nisma të tjera me qëllim që ta adresojë rënien e popullsisë që nëse vazhdon me këtë ritëm, do ta kthejë vendin në shtetin me popullsinë më të plakur në Europë, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë se pakoja prej 1.6 miliard eurosh lehtësirash është diktuar prej njërës prej sfidave më të mëdha me të cilat po përballet shteti mesdhetar: një krizë demografike të përmasave të pashembullta.
“Ne e dimë se kostoja e jetesës është njëra prej arsyeve pse ju nuk keni fëmijë dhe një tjetër nëse i keni dy ose tre fëmijë”, ka thënë kryeministri grek të dielën (07.09.2025) pasi ka bërë të ditura politikat e reja. “Andaj ne si shtet duhet të gjejmë një shtegdalje si shpërblim për qytetarët tanë të cilët zgjedhin të kenë fëmijë”.
Masat, të cilat variojnë nga një ulje prej 2 pikësh përqindjeje për të gjitha kategoritë tatimore deri në normën zero për familjet me të ardhura të ulëta me katër fëmijë, do të zbatohen prej vitit 2026, ka treguar Mitsotakis. Ai e ka konsideruar pakon reformën më të guximshme tatimore të zbatuar në Greqi në më shumë se 50 vjet.
Politikat mbështeten në nisma të tjera nga qeveria e qendrës së djathtë për ta trajtuar çështjen.
Me normat e fertilitetit në Greqi ndër më të ulëtat në Europë – me 1.4 fëmijë për grua, norma e riprodhimit është shumë nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1 – Mitsotakis e ka quajtur problemin “kërcënim kombëtar”.
Popullsia greke është rrugës që të bjerë nga 10.2 milionë, sa është aktualisht në shumë më pak se 8 milionë deri në vitin 2050, kur 36 për qind do të jenë mbi moshën 65 vjeç, tregojnë të dhënat e Eurostat-it.Teksa ka pranuar se rënia ka marrë përmasa ekzistenciale, ministri grek i Financave, Kyriakos Pierrakakis, ka theksuar se normat e fertilitetit janë përgjysmuar që nga fillimi i krizës ekonomike të vendit 15 vjet më parë.
“Reforma jonë e taksave do t’i japë theks të madh këtij problemi… si kreu i ekipit ekonomik, do të thosha se përparësia jonë kryesore është çështja demografike”, ka shtuar ai.
Kriza gati njëdekadëshe e Greqisë është fajësuar kryesisht për rënien alarmante. Kjo pjesërisht për shkak se të rinjtë ishin ndër ata që u goditën më së rëndi nga masat shtrënguese të kërkuara në këmbim të fondeve ndërkombëtare të shpëtimit që pamudnësuan falimentimin e Athinësë së zhytur në borxhe BE-së.
Më shumë se 500 mijë grekë u larguan nga vendi në kërkim të punës gjatë krizës, një eksod kryesisht i qytetarëve të rinj dhe të talentuar që qeveria po përpiqet ta përmbysë.
Masat e fundit, të cilat përfshijnë heqjen e detyrimeve tatimore për ata që jetojnë në vendbanime rurale me më pak se 1.500 banorë, do të financohen me para nga suficiti fiskal ndërsa ekonomia është rimëkëmbur.
Zyrtarët thonë se rënia e normave të fertilitetit po i vë sistemet e pensioneve dhe shëndetësisë, si dhe tregjet e punës dhe sigurinë kombëtare, para rrezikut të paparë në një kohë pasigurie gjeopolitike.