Përfaqësues të Groenlandës në Shtetet e Bashkuara janë takuar kohët e fundit me të paktën një ambasador nga shtetet ishuj të Paqësorit, të njohur ndryshe dhe me emrin Oqeania, për të mësuar më shumë rreth një marrëveshjeje politike që disa mendojnë se mund të krijojë një mundësi për ishullin në Arktik dhe Uashingtonin, ka mësuar Zëri i Amerikës.
Presidenti Donald Trump ka shprehur vazhdimisht interesin e tij për ta blerë ose për të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor gjysmëautonom i Danimarkës, i pasur me burime natyrore.
Zoti Trump ka vënë dukje rëndësinë strategjike dhe pozicionin e ishullit në Oqeanin Arktik ku Rusia dhe Kina po përparojnë me shpejtësi.
Por komentet e presidentit amerikan kanë hasur në kundërshtinë e banorëve të ishullit si dhe udhëheqësve politikë të Danimarkës dhe Evropës.
Përfaqësuesit e Groenlandës nuk kanë pranuar të komentojnë për Zërin e Amerikës mbi takimin, i cili u përqendrua në një pakt që tre shtetet ishuj të Paqësorit kanë me Uashingtonin – njohur si Marrëveshja e Asociacionit të Lirë, ose ‘COFA’.
Marrëveshja i siguron Shteteve të Bashkuara qasje ushtarake tek të tre ishuj strategjikë të Paqësorit – në Republikën e Ishujve Marshall, Shtetet Federative të Mikronezisë dhe Republikën e Palau-s, në këmbim të ndihmës ekonomike.