Rigjykimi në rastin e vrasjes së 4-vjeçarit Almir Aliu nga Kumanova nuk nisi, pasi pala e dëmtuar kërkoi ndërrimin e gjykatësit ndihmës. Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq tha se kanë kërkuar ndërrimin e gjykatësit ndihmës Lubomir Gjorgjeviç, pasi sipas tij gjykatësi Gjorgjeviç është nga etnia e njëjtë me të akuzuarin Boban Iliq dhe për këtë arsye trupi gjykues duhet të ketë gjykatës shqiptar, raporton Tv SHENJA.
Asmir Alispahiq, avokat mbrojtës
“Ne si mbrojtje kërkuam ndërrimin e antarit të dytë të këshillit gjyqësor, ai është gjykatësi Lubomir Gjorgjeviç. Mbrojtja mendon se me emërimi i tij në atë trup gjyqësor, gjykata e Kumanovës do të jetë edhe më e njëanshme, sepse ky gjykatës nuk ka qenë as anëtar i Këshillit Gjyqësor, por ka qenë një shqiptarë. Mirëpo ky i fundit nuk është më antar i këshillit. Kështu që ne kërkuam ndërrimin e gjykatësit Gjorgjeviç sepse ai është pjestarë i etnisë së njëjti sikur vet i akuzuari, pra ai është sërb”.
Alispahiq më tej u shpreh se në qoftë se kërkesa e tyre nuk pranohet ata janë duke menduar për mundësinë që ky proces të mos vazhdoj të gjykohet në Gjykatën e Kumanovës.
Asmir Alispahiq, avokat mbrojtës
“Ne po shqyrtojmë mundësinë që të bëjmë kërkesë për përjashtimin e tërësishëm të Gjykatës së Kumanovës nga kompetenca për këtë rast. Pra, kërkojmë që gjykimi të kaloj në Gjykatat e Apelit ku Gjykata Themelore ka kompetenca. Por, shpresoj të mos vije deri këtu dhe se vërtetë kryetari i Gjykatës Themelore, do të sjellë vendim ku do të emëroj një shqiptar si gjykatës të dytë”.
Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushit 4 vjeçar nga Kumanova, jetën i mori aksidenti tragjik, i shkaktuar nga Boban Iliq, të cilit i kishte paraprirë një zënkë verbale mes familjarëve të Almirit dhe Bobanit. Për këtë rast, Gjykata Themelore e Kumanovës, të akuzuarit të parë Boban Iliqit i shqiptoi dënim me 6 vjet heqje lirie, ndërkaq babain e Almirit, Sedat Aliun me 6 muaj burg dhe dy kusherinjtë e tij Abdulla Aliun dhe Sami Demiri me nga 9 muaj burg. Mirëpo, pas ankesës së parashtruar nga pala e dëmtuar në Gjykatën e shkallës së dytë, Apeli vendosi që lëndën ta kthej nga e para. Emine Ismaili /SHENJA/