Gjykata Themelore në Manastir nuk e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike – Manastir për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për vepra penale që lidhen me prokurimet publike në TEC Manastir, duke u caktuar atyre arrest shtëpiak, përcjell TV21.
Nga Prokuroria njoftojnë se prokurori kompetent nuk pajtohet me vendimin, duke pasur parasysh rrezikun e arratisjes së të dyshuarve, pasi njëri prej tyre posedon pasuri të konsiderueshme në një shtet tjetër.Për këtë arsye, Prokuroria do të ankimojë vendimin e Gjykatës dhe do të kërkojë masën e paraburgimit efektiv.
Sot, Prokuroria ka lëshuar urdhër për fillimin e procedurës hetimore ndaj tetë personave fizikë dhe një personi juridik, për vepra penale të vazhdueshme që lidhen me prokurimet publike në TEC Manastir.Pesë zyrtarë të TEC Manastir – përfshirë ish-drejtorin e Kombinatit dhe katër drejtues në sektorin e minierave – dyshohen se gjatë vitit 2023, në bashkëkryerje, kanë kryer keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata kanë organizuar dhe zbatuar një prokurim publik për zhvendosjen e stacioneve të punës nga miniera Oslomej në REK Manastir, në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me projektin bazë dhe nevojat e minierës Zhivojno, me qëllim të sjelljes së përfitimeve për palë të treta, duke dëmtuar rëndë Kombinatin.
Personi juridik – kompania DTPU Markovski Kompani, përfshirë pronarin, një menaxher dhe një të punësuar, dyshohen se, edhe pse ishin të vetëdijshëm se punimet nuk ishin kryer, kanë dorëzuar fatura dhe kanë arkëtuar në mënyrë të kundërligjshme nga REK Manastir shumën prej 106.200.000 denarë me TVSH, duke kryer veprën penale “Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike dhe partneritet publiko-privat”.Hetimet janë zhvilluar nga Policia Financiare për disa muaj me urdhër të prokurorit publik, dhe janë siguruar prova që justifikojnë dyshimin e bazuar ndaj të dyshuarve.