Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot mbajti seancën e 9-të, në të cilën shfuqizoi Ligjin për ndryshimin e Ligjit për pagat e gjyqtarëve.
“Në vendimmarrjen përfundimtare për shfuqizimin e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për pagat e gjyqtarëve, të miratuar në shkurt 2026, si argumente vendimtare u vlerësuan rëndësia e pavarësisë financiare dhe autonomisë së gjyqësorit, si pjesë përbërëse e pavarësisë së garantuar me Kushtetutë të pushtetit gjyqësor, si dhe vlerat themelore të rendit kushtetues – sundimi i së drejtës dhe ndarja e pushteteve”, njoftuan nga Gjykata.
Pas nisjes së procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, nga Gjykata theksojnë se Kuvendi, në vend që të vepronte në përputhje me qëndrimet e saj të shprehura në vendimin për fillimin e procedurës më 24 dhjetor 2025, kishte bërë një ulje të re të koeficientëve të pagave të gjyqtarëve.
Për këtë arsye, Gjykata vendosi me iniciativë të vet të hapë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit për pagat e gjyqtarëve të 25 shkurtit 2026 dhe ta shfuqizojë atë si të kundërt me nenin 8 paragrafi 1 alineat 1, 3 dhe 4, nenet 51 dhe 54, si dhe Amendamentin XXV të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Koeficientët për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve janë ulur dy herë në vitin 2024 dhe sërish në shkurt 2026, gjë që sipas Gjykatës tregon një tendencë për uljen e shumës reale të pagave, duke krijuar rrezik për cenimin e pozitës materiale të gjyqtarëve dhe rrjedhimisht edhe të pavarësisë dhe autonomisë së gjyqësorit”, thuhet në njoftim.
