Gjykata Kushtetuese e nënvlerëson inteligjencën e profesionistëve të kësaj fushe, por edhe të opinionit, tha në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska. E pyetur për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos inicuar procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit që një kompanie i jep të drejtë me diskrecion që me paratë e qytetarëve të ndërtojë autostrada në mbarë vendin, Ivanovska tha:
“Në mënyrë simbolike do thosha, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Gjykata Kushtetuese reagoi me një vendim të tillë, për të hedhur poshtë nismën tonë, e cila zbuloi rreziqe të larta korrupsioni. Gjatë ditës së djeshme doli edhe arsyetimi. Përgjigja është larg pritjeve tona dhe mendoj se me një përgjigje të tillë Gjykata Kushtetuese e nënvlerëson inteligjencën e këtij populli dhe profesionistëve të fushës”, tha Ivanovska.