Gjykata Administrative ka marrë vendim në lidhje me atë se kompetencat në arsim në Gostivar duhet t’i takojnë komunës përkatëse dhe jo Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH).
Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari sot njoftoi se ka pranuar vendimin e Gjykatës Administrative, ku theksohet se “padia e Komunës së Gostivarit është PRANUAR. Vendimi nr.08-2133/1 prej 13.02.2019 i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është ANULUAR”.
Vendimi i MASH-it përcaktonte marrjen e kompetencave për arsim për 9 muaj komunës së Gostivarit për herë të dytë. Këtë vendim MASH-i e arsyeton me shkeljet procedurale të përsëritura të Taravarit gjatë shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve në shkollat fillore dhe të mesme.
Ministri i “kompetencave” dhe “doktori i shkencave juridike”, sipas gjykatës administrative nuk paska të drejtë për marjen e kompetencave në arsim në komunën e Gostivarit.
I nderuari “docent” kthe kompetencat dhe kërko falje publike, jo për mua, po për nxënësit dhe mësimdhënësit në Gostivar, të cilët i torturon tash më 2 vjet!
Drejtësia doli në shesh!”, shkroi Taravari në Fejsbuk.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë ia ka marrë kompetencat Taravarit në lidhje me shkollat. Ministria si shkas për marrjen e kompetencave e ka theksuar se kryetari i Komunës e ka shkelur ligjin gjatë shkarkimit/emërimit të drejtorëve.