Parkimi i paligjshëm është një nga shkeljet më të përsëritura dhe më të zakonshme që ndodhin në trafikun rrugor. Në territorin e komunës së Gostivarit dhe Tetovës, çdo ditë hasen vozitës të cilit i lënë veturat vend e pa vend duke e penguar kështu rrjedhën normale të komunikacionit. Në këtë drejtim, makina të parkuara në vendkalimet e këmbësorëve, në trotuare, në korsitë rrugore si dhe në zonat e gjelbërta janë pamjet e shpeshta të cilat hasen në këta dy qytete.
Për pasojë një sërë dënimesh janë shqiptuar, por edhe kjo si duket nuk është e mjaftueshme që të ketë një vetëdije më të lartë në komunikacion. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se në Gostivar, 280 vozitës janë dënuar për parkim të paligjshëm, si dhe mbi 300 automjete të ngritura nga shërbimi i merimangës.
“Punonjësit policorë të departamentit të policisë për siguri në komunikacionin rrugor në Gostivar gjatë ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve të përditshme për të mundësuar një qarkullim normal dhe të papenguar në periudhën nga data 1 gusht deri më 31 tetor në territorin më të gjerë të Gostivarit kanë shqiptuar gjithsej 274 masa për parkim të paligjshëm. Ndërkaq me automjetin special merimangë janë ngritur dhe marrë 308 vetura, të cilat në mënyrë direkte po pengonin rrjedhën e komunikacionit”, deklaroi zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Në ndërkohë, edhe në Tetovë gjendja nuk është aspak më mirë. Keqparkimi vazhdon të mbajë peng zhvillimin normal të trafikut rrugor, sidomos në pjesën qendrore. Krahas kësaj, problematike në Tetovë janë rrugët dytësore, ku një veturë e parkuar keq, e bllokon tërë komunikacionin. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, njoftojnë për shifra alarmante për sa i përket dënimeve për keq parkim.
“Në periudhën prej muajit janar e deri në muajin tetor të këtij viti, nga shërbimi i merimangës në Tetovë për shkak të keqparkimit janë marrë 2459 vetura. Me këtë rast, për shkak të keqparkimit, janë shqiptuar 4225 dënime”, njoftoi zëdhënësi Rexhepi. Krahas kësaj, problem në vete është edhe i ashtuquajturi parkim paralel. Kjo është një nga shkeljet më të shpeshta që ndodh në bulevardet kryesore në Tetovë. Ky fenomen është i pranishme vite me radhë në Tetovë dhe assesi të gjejë zgjidhje. Edhe pse në këtë drejtim vazhdimisht merren masa, megjithatë situata nuk përmirësohet.
Nga policia kanë përsëritur apelin që vozitësit që të respektojnë shenjat dhe rregullat në komunikacion, të mos i parkojnë automjetet në vende të papërshtatshme dhe të mos bllokojnë komunikacionin. Kjo sipas policisë do të mundësojë komunikacion normal dhe të papenguar. /Koha/