Nuk ka ndikime në zgjedhjen dhe avancimin e prokurorëve publikë, thotë kryetarja e re e Këshillit të Prokurorëve Publikë Dushica Dimitrieska në intervistë për Radion Europa e Lirë. Sipas saj, kështu ka ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve të fundit të prokurorëve publikë nga kandidatët e diplomuar në Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, kur në prokurori hynë persona të afërm të funksionarëve aktualë, përfshirë edhe djalin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe bashkëshortja e shefit aktual të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Islam Abazi.
Nuk ka ndikime në zgjedhjen e të gjithë këtyre kandidatëve që përmendët, të gjithë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik kanë të drejtën e bindjes dhe zërit të tyre dhe e shprehin atë gjatë votimit. Të gjithë kandidatët i plotësuan kushtet, të gjithë të përzgjedhurit janë kandidatë cilësorë dhe besoj se të gjithë do t’u përgjigjen me sukses detyrave që u janë dhënë me ardhjen në postet për të cilat i ka zgjedhur këshilli.”- deklaroi Dushica Dimitrievska, Këshilli I Prokurorëve Publikë.
Ajo thotë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Këshilli i Etikës pranë Prokurorisë Publike lidhur me deklaratën e prokurores Lençe Ristoska, e cila në prill të këtij viti si folës në një konferencë tha se mënyra e zgjedhjes së prokurorëve krijon sjellje klienteliste të prokurorëve ndaj atyre që lobuan për zgjedhjen e tyre.
“Në një nga seancat e Këshillit të Prokurorëve Publik, të gjithë anëtarët e këshillit ishin me një qëndrim se deklarata e tillë e prokurores duhet të dërgohet për mendim në këshillin e etikës në Prokurorinë Publike për të parë nëse deklarata e saj është në harmonizim me parimet e Kodit të Etikës, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë mendim.”- Dushica Dimitrievska, Këshilli I Prokurorëve Publikë.
Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë në intervistë thotë se ende nuk e kanë marrë përkthimin e Raportit të Komisionit Europian (KE) për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, në të cilin ndër të tjera notohet qartë se Këshilli është jotransparent dhe vendimet e tij i arsyeton në mënyrë të pamjaftueshme.