Presidenti gjerman: Nuk e mendoja kurrë se Putin do të përqafonte rrënimin politik dhe ekonomik të vendit të tij
Për herë të parë Gjermania ka pranuar se janë bërë gabime në politikat e saj ndaj Rusisë.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier pranoi se Berlini ka dështuar në krijimin e një shtëpie të përbashkët europiane, në të cilën përfshihet edhe Rusia.
“Këmbëngulja ime për Nord Stream 2 ishte një gabim. Ne u qëndruam besnikë urave, të cilave Rusia nuk u besonte më, gjë për të cilat na kishin paralajmëruar partnerët tanë”.
Steinmeier tha se nuk e kishte menduar kurrë se Putini do të arrinte deri aty sa të pranonte shkatërrimin e plotë ekonomik, politik dhe moral të vendit të tij për çmendurinë e tij perandorake.
“Në këtë pikë unë kam gabuar, si të tjerët”. Presidenti gjerman tha se përgjegjësinë për luftën e mban shefi i Kremlinit, Vladimir Putin.
“Ne nuk duhet ta marrim këtë përgjegjësi mbi vete. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të rishqyrtojmë disa gjëra ku kemi bërë gabime”.
Këto deklarata të presidentit gjerman erdhën pas kritikave të shumta nga ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk dhe zëvendëskryeministri polak Jaroslaw Kaczynski,në intervistat e dhëna për mediat. Ambsasadori ukrainas u shpreh për gazetën “Tagesspiegel” se Steinmeier ndërtoi për dekada një rrjet kontaktesh me Rusinë duke nënvizuar se marrëdhënia me të ishte dhe mbetet diçka themelore, madje e shenjtë.
Klan News