Tashmë gjashtë vjet, muaji gusht sjell kujtimet të dhimbshme e trishtuese për banorët e Hasanbegut, Stajkovcës, Straçincës, Haraçinës dhe Rashtakut të Shkupit të cilët u përballën me vërshime vdekjeprurëse. Në këtë ditë, çdo banor që do të ndalësh në rrugë ka qindra fjalë për të treguar duke rikthyer kujtimet drithëruese të vërshimeve që për disa orë ishin luftë për jetë ose vdekje.
“Brenda 70 vjetëve nuk e kam përjetuar, për herë të parë këtë e kam përjetuar. Më e rënda ishte gruaja që humbi fëmijën. Gruaja ka hy në shtëpinë time, poshtë në bodrum. Kur u ndal uji i madh, vëllai më bën telefon dhe më thotë ke dy njerëz në shtëpi. Kur e pash gruaja kishte hy në bodrum, kishte pasur ftohtë, më tregoj prej nga është, ja dhashë telefonin të flasë… Tha çikën ma ka marrë uji, burrin nuk e di. Burrin e gjetëm të vdekur ndërsa fëmijën edhe sot nuk e kemi gjet”, tha një banor.
“Katër shtëpi kanë qenë në ujë, 9 makina se djemtë ishin mysafir prej jashtë, edhe autobusi, ato krejt u humbën. Kur i shikoja shokët, se malli është i ndarë nga shpirti, kur dëgjoja se humbi fëmija, humbi djali, humbi burri, humbi gruaja, ajo ishte më keq. Në shtëpitë tona pas dy javëve i kemi kthyer fëmijët në shtëpi, nuk kishin ku të hyn e të qëndrojnë por edhe nuk donim që ashtu ti shohin shtëpitë. Rregulluam pak diçka edhe u kthyen. Shtëpia ka shumë gjëra, mungojnë gjysma po falë Zotit mirë jemi, prej tjetër kujt ndihmë s’kemi pas”, deklaroi një banor tjetër.
Edhe pas gjashtë vjetësh, banorët shprehen të revoltuar për mosinteresimin e institucioneve përkatëse për rregullimin e infrastrukturës në Hasanbeg, posaçërisht i aspekteve që besohet se shkaktuan vërshimet tragjike.
“Pas krejt asaj që ndodhi, që është dashur të punohet nuk është punuar. Rrugën e rregulluan, një kanalizim e vendosën por jo adekuat e si duhet, e bën shkel e shko. Kanali është problemi më madh, edhe vërshimet vijnë prej aty edhe ka erë të keqe nuk durohet”, tha një banor.
“Ato kujtime do të jenë edh më tutje, askush nuk mundet ti harron. Çështje e punëve të kanalizimit, ato punë I kanë pru më tepër vërshimet. Ky kanal ekziston me vite e me vite edhe me të vërtet prej atëherë nuk kanë ndërmarrë asgjë hiç. Dhanë shumë premtime, prej atyre premtimeve, siç e shihni atë ditë dhe sot..s’ka asgjë hiç”, shtoi një tjetër banor.
Gjithashtu, shumë prej banorëve u detyruan që me vet financim ose me hua marrje të rikthehen në jetë duke ndërtuar shtëpi të reja e çdo gjë tjetër për të vazhduar jetën e mëtutjeshme
“Ishte si ëndërr, nuk të besohet. Në këtë vend që s’ka as lumë e asgjë tjetër me pas vërshime,vetëm Zoti thotë bëhu e bëhet. Pasuria nuk është këthyer qysh ka qenë… Unë I kam kthyer por më kanë kushtuar. Me llaminat e me tesha, çka kemi pas I kemi hudh. A jeni të kënaqur me dëmshpërblimin që keni marrë? Aspak, as 10 % nuk është paguar”, u shpreh një banor.
Si pasojë e vërshimeve të 6 gushtit të vitit 2016, humbën jetën 22 persona ndërsa mbetën të shkatërruara shumë shtëpi, biznese, e gjëra të tjera materiale. Njerëz të shumtë nga vendi e jashtë shtetit për javë të tëra ishin në teren për të ndihmuar të dëmtuarit për pastrim të shtëpive dhe kërkimin e personave të zhdukur./Alsat.mk