Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka denoncuar një tjetër aferë korruptive, lidhur me procesin e rindërtimit të godinës nr. 19 në Qytetin Studenti, duke ngritur akuza të forta ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-drejtoreshës së RSU nr.1, Anila Shehu. Sipas saj, edhe pse janë paguar rreth 43 milionë lekë për ndërtimin e kësaj godine, ajo nuk është ndërtuar kurrë, një fakt që është vërtetuar nga fotot e marra në terren.Vangjeli theksoi se ky është një rast tjetër abuzimi me fondet publike dhe se ka dyshime për shkelje të ligjit dhe abuzim me detyrën shtetërore.
Ajo i bëri thirrje SPAK-ut të ndërmarrë hetime të thelluara për këtë çështje dhe të dërgojë për gjykim ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë vjedhur paratë e shqiptarëve.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Në datën 5 Mars 2025 aktivistët Aurel Kujtimi dhe Andrea Bregu kallëzuan në SPAK Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe ish-drejtoreshën e RSU nr.1 Anila Shehu për një tjetër aferë korruptive lidhur me procesin e rindërtimit e konkretisht ndërtimin e godinës tip në RSU NR.1 (Nr.19) në Qytetin Studenti.
Studentët treguan se përveç mohimit të së drejtës për informim lidhur me këtë rast:
– së pari, ekzistojnë dyshime për abuzim me detyrën shtetërore ku dëmi është i dyfishtë qoftë me fondet publike por edhe me gjurmën dhe territorin e pretenduar për t’u ndërtuar godina nr. 19,
– së dyti, godina nuk u ndërtua kurrë vërtetuar nga fotot e marra në terren,
-së treti, për këtë godinë u paguan rreth 43 milionë lekë të vjetra në favor të kontraktorit i cili do kryente ndërtimin.
Partia Demokratike kreu verifikimet e saj për procedurat e kryera nga bashkia Tiranë për ndërtimin e godinës 19 dhe rezultuan këto fakte shtesë:
Në datën 6 Dhjetor 2019 Erjon Veliaj në cilësinë e kryetarit të AK bashkia Tiranë, zhvillon procedurën me negocim me objekt shembja e ndërtesave godina 15,18,19 në qytetin studenti dhe kontraktori ishte kompania ARB & Trans 2010 shpk e cila ka qenë deri në vitin 2018 në pronësi të drejtpërdrejtë të Administratorit të Njësisë Administrative Zall Herr të bashkisë Tiranë, të përfshirë në aferën e 5 D, Arben Maloku dhe aktualisht në pronësi të babait të tij.
Sipas Spending Data për këtë procedurë ky subjekt u pagua 25.2 milion lekë ekzekutuar në datën 4 Mars 2020 dhe 20 Shtator 2020.
Përveç pagesës për punë të pakryer në vlerën 4.3 mil lekë në favor të ndërtuesit ekzekutuar në dt. 8 Shtator 2023, Erjon Veliaj në datën 12 Nëntor 2021 ka lidhur kontratën me objekt mbikëqyrja e punimeve për objektin rikonstruksion i godinës TIP në RSU nr.1 (nr.19) me operatorin Instituti ‘Dekliada’ shpk në pronësi drejtorit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë Mehmet Hasalami, subjekt ky i kontraktuar nga bashkia Tiranë ndër të tjera edhe për vlerësimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti 26.11.19, rindërtim banesash apo godinës RSU 3 nr.4.
Edhe pse sipas Spending Data nuk rezulton pagesë e përfituar nga ky subjekt për godinën 19 në RSU 1, prezent dhe fakt është se në zbatim të ligjit nr.8402 datë 10.09.1998 Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, i ndryshuar, neni 7, si dhe VKM nr.610, datë 22.09.2022 Për përcaktimin e rregullave të detajuara për mënyrën e caktimit të mbikëqyrësit, detyrat dhe përgjegjësitë e tij, kushtet dhe elementet e përgjithshme të sigurimit të përgjegjësisë profesionale, si dhe rregullat, procedurat dhe mënyrën e mbajtjes së dokumentacionit gjatë zhvillimit të punimeve, neni 7 e vijues, mbikëqyrësi i punimeve është i detyruar të kontrollojë dhe është përgjegjës për zbatimin e punimeve të ndërtimit, në përputhje me lejen e ndërtimit, projektin, kushtet teknike të projektimit, të zbatimit, si dhe destinacionin e objektit.
Gjithashtu, situacionet e paraqitura nga sipërmarrësi, në fazat e ndryshme të punimeve kontrollohen dhe miratohen nga mbikëqyrësi i punimeve. Pagesa mund të kryhet vetëm në bazë të këtij miratimi.
Çfarë situacionesh ka miratuar mbikëqyrësi kur në këtë objekt nuk ka ndërtim…
Partia Demokratike ka denoncuar disa herë përdorimin e fatkeqësive natyrore duke abuzuar me dashje me keqmenaxhimin e ndarjen e parave publike dhe rasti i mësipërm është një tjetër shembull.
Në këto kushte apelojmë SPAK të konkludojë me hetimet respektive për këtë aferë të kallëzuar nga studentët dhe dërgojë për gjykim shkelësit e ligjit dhe vjedhësit e parave të shqiptarëve.