Ky rrjet social e ktheu vendin tonë në një destinacion trend
Rrjeti social TikTok ka një ndikim mjaft të madh në promovimin e Shqipërisë turistike. Media spanjolle “El Pais”, në një artikull të saj, duke iu referuar një studimi thotë TikTok ka sjellë një rritje të papritur të vizitorëve, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion trend.
Një specialiste e marketingut digjital, Jennifer Mourenza, thotë se një ndër aspektet që e dallojnë TikTok nga rrjetet e tjera sociale janë viraliteti i tij dhe lloji i audiencës.
Sipas saj, “destinacionet që mund të klasifikohen si më të lira dhe më të lehta për t’u aksesuar për popullatën, përshtaten më shumë me publikun e këtij rrjeti social”,
Vetëm pak vite më parë, Shqipëria ishte një destinacion ekskluziv turistik, shkruan media prestigjioze “El Pais”. Por këtë verë, vendi ynë pati një ortek vizitorësh në plazhet me ujëra të kristalta.
Shqipëria pati një rritje prej 26% të vizitorëve të huaj gjatë korrikut, krahasuar me shifrat e një viti më parë.
“Në shtator, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 45%, gjithsej 1,1 milionë, ndërsa numri i vizitorëve në janar të vitit të kaluar u rrit me 94%”, sipas Institutit Shqiptar të Statistikave.
Në nëntë muajt e parë të vitit, vendi kishte 29% më shumë vizitorë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Klan News