Ministri për Arsim dhe Shkencë, Jeton Shaqiri, kërkon që të sanksionohen të gjithë fajtorët të cilët lejojnë të kalojnë gabime në tekstet shkollore. Thotë se në ligjin për tekste shkollore mungon procedura sanksionuese ndaj recezentit, autorit, Byrosë për zhvillim të arsimit dhe kjo gjë duhet të rregullohet me ligj.
“Përkundër faktit që kemi dashur të kyçemi për të mirën e procesit dhe nuk na është dhënë mundësia të kyçem në Këshillin nacional atëherë nuk mund të mbaj përgjegjësi ministri ose kabineti i ministrit. Por Këshilli nacional, pas dorëzimit të raportit në Qeveri do të marrin vërejtje ne bazë të sugjerimeve të cilat i ka”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Rasti i fundit diskutabil ishte në librin e gjuhës shqipe për klasë të pestë me shkurtesën për BDI-në dhe gabimin tjetër në librin e Shoqërisë, por ministri Shaqiri, thotë se ai nuk ka asnjë kompetencë mbi Këshillin nacional i cili është trup rregullator për tekstet shkollore.
“Shembull, libri i Shoqërisë, mund ta merrni edhe procesverbalin nga ana e kabinetit, ka pasur mbi 20 vërejtje nga recezentët, mbi 20 vërejtje nga Byroja për zhvillim të arsimit dhe përsëri këto vërejtje të cilat edhe unë nuk i dëshiroja dhe po pranoj kritika, nuk janë dhënë as nga recezentët as nga Byroja për zhvillim të arsimit. Për atë arsye në procedura tjera ligjore, kam pasur mundësi të them të ligji i ri të ketë edhe procedura sanksionuese në qoftë se ndodhin raste të tilla”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Sa i përket mungesës së librave, ministri tha se tashmë janë shpërndarë të gjitha tekstet shkollore, ndërsa ka mbetur pa shpërndarë vetëm libri i Shoqërisë për klasë të parë dhe libri i gjuhës maqedonase për klasë të pestë./TV21/