Familja e liderit të VMRO-DPMNE-së ka dhjetëra banesa, shtëpi dhe pasuri të tjera të paluajtshme dhe të luajtshme brenda dhe jashtë vendit, njofton portali infomax.mk, transmeton pressonline.mk .
Vetëm babai i Hristijan Mickoskit, Ivan Mickoski, ka 3 apartamente në Shkup dhe një në Ohër, të cilat i ka fituar me kontratë shitblerjeje.
Hristijan Mickoski deri më tani ka raportuar se ka shtëpi familjare vetëm në lagjen Vlae ku edhe jeton.
Me pronë serioze disponon motra e Hristijan Mickoskit, e cila momentalisht është duke ndërtuar një shtëpi të re në lagjen Kozle në afërsi të shtëpisë ku jetonte prokurorja speciale, Katica Janeva.
Ivan Mickoski, babai i Hristijan Mickoski, zotëron një apartament 43 metra katrorë në një vend tërheqës në Ohër, një apartament 105 metra katrorë në rrugën Partizanski Odredi në Vllae, një apartament 60 metra katrorë në rrugën Jurij Gagarin në Karposh, si dhe një objekt dhe truall nën një objekt në një sipërfaqe totale prej 318 metrash katrorë edhe në rrugën Jurij Gagarin në Karposh.
Në total, vetëm Ivan Mickoski zotëron rreth 600 metra katrorë hapësirë për banim në Shkup dhe Ohër, ose nëse llogaritet vlera mesatare e tregut për metër katror, ajo përfaqëson nga 600 deri në 700 mijë euro pasuri të paluajtshme të vetëm një anëtari të familjes së kryetarit të VMRO-DPMNE-së.
Meqë ra fjala, babai i Hristijan Mickoskit ka pasur karrierën e tij akademike si profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe si profesor me kohë të plotë ka mentoruar ish-zëvendëskryeministrin Koço Angjushev për disertacionin e doktoraturës, kurse Koço Angjushev është mentor për disertacionin e doktoraturës së Mickoskit.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së është edhe bashkëthemelues i kompanisë për prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e vogla, e cila deri më tani ka investuar mbi 11 milionë euro në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.
Spekulimet janë se kryetari i VMRO-DPMNE-së ka edhe një vilë luksoze në bregdetin e detit Adriatik në vendin bregdetar Krashiqi të Malit të Zi, ku edhe këtë verë ka kaluar pushimet e tij vjetore.
Përveç për relaksim personal, vila përdoret edhe për të ardhura shtesë pasi mund të gjendet në faqet e dhomave me qira. Sipas informacioneve të fundit vila aktualisht është në shitje.
Sipas çmimeve të tregut, një pronë luksoze bregdetare si një vilë në Krashici kushton nga 5 deri në 7 mijë euro për metër katror ose për 500 metra katrorë plus një plazh privat 220 metra katrorë dhe dy marina për jahte nga 2.5 deri në 3 milionë euro.
Me pasuri serioze disponojnë edhe të afërmit e Hristijan Mickoskit dhe bashkëshortes së tij…