Universitet i Tetovës ka shpenzuar 38.038 euro për ushqime nëpër restorante nga janari në shtator, edhe pse të njëjtit i mungojnë laboratorë dhe bibliotekë e denjë ku studentët mund të mësojnë, akuzojnë nga Forumi për Ndryshime Arsimore – FECH, transmeton Portalb.mk.“Universitetit të Tetovës i mungojnë laboratorët dhe një bibliotekë e denjë ku studentët mund të mësojnë, por jo aroma e biftekut që del nga “takimet akademike”. Afërsisht 40 mijë euro janë harxhuar për dreka e darka, sepse kur mungon dija, gjithmonë ka vend për pjata me mish e peshk. Studentët marrin nga 2,30 euro për një vakt ushqimor ndërkohë që UT-ja, vetëm për një darkë, në një nga qebaptoret në qendër të Tetovës, ka shpenzuar 995 euro, mjaftueshëm sa për t’i ushqyer 430 studentë”, thuhet në reagim.
Ata shtojnë se Universiteti i Tetovës ka regres në çdo matje ndërkombëtare, përveç te faturat e mishit, të cilat vetëm shënojnë rritje.
“FNA-ja kërkon që Rektori Jusuf Zejneli të tregojë publikisht, si është e mundur që çdo muaj të harxhohen afërsisht 4.500 euro nëpër restorante? FNA-ja ka hulumtuar edhe harxhimet e universiteteve tjera publike në Maqedoninë e Veriut dhe rezulton se asnjë prej tyre nuk shpenzon as sa çereku i UT-së. Për fund, çdo harxhim i dyshimtë duhet hetuar, sepse Universiteti i Tetovës nuk mund të ndërtojë reputacion me fatura restorantesh, por me transparencë, dije dhe dinjitet akademik”, thuhet në fund të reagimit.