Drejtori i sapoemëruar i Agjencisë për Zbulim, Erolld Musliu i tha TV21 se nuk po i kupton qëllimet dhe shqetësimet e BDI-së rreth emërimit të tij në krye të Agjencisë. Ai mohon përfshirjen e tij në aksionin në Kumanovë, madje shton se është anashkaluar nga procesi për këtë rast.
A keni qenë i përfshirë në ndonjërin prej gjërave që përmenden, në rastin e Kumanovës, ose kohëve të fundit po përmendet edhe rasti i BFI-së?
“Në lidhje me ngjarjet që përmendët për Kumanovën, Erolld Musliu nuk ka asnjëfarë lidhshmërie me ngjarjet e Kumanovës, pa marrë parasysh se kam qenë shef i operacioneve në Agjencinë e Zbulimit, unë nuk kam qenë i përfshirë. Nuk e di se cili ka qenë qëllimi i drejtorit të atëhershëm të më anashkalojnë nga procesi i përmbledhjes së informacioneve, është një gabim në procedura dhe kjo punë do të zbërthehet së shpejti”, deklaroi Erolld Musliu Drejtor i Agjencisë për Zbulim.
Musliu mohon edhe të ketë gisht në ngjarjet e fundit në BFI, duke thënë se ai është pjesë e Agjencionit që mbledh informacione për rreziqet që vijnë nga jashtë dhe jo për çështje të brendshme të vendit.
Musliu u emërua nga Presidenti i ri Stevo Pendaroski dhe është shqiptari i parë që mban postin e drejtorit të Agjencisë për Zbuli. Megjithatë ky emërim shqetësoi Bashkimin Demokratik për Integrim, partinë e cila e mbështeti Pendarovskin si president konsensual.
Nga BDI sot askush nuk pranoi të flasë më detajisht për ‘shqetësimin’ për të cilën dje foli zëdhënësi Bujar Osmani.
“BDI vlerëson se pa u ndriçuar deri në fund ngjarjet e Kumanovës, asnjë njeri që ka qenë pjesë e shërbimit të Ivanovit nuk duhet të jetë në krye të institucioneve sensitive”, potencoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Osmani kërkoi nga presidenti Pendarovski që të mbledhë më shumë informacione për Musliun dhe ta korrigjojë vendimin. Televizioni 21 pyeti kabinetin e Presidentit nëse pas kërkesës së BDI-së, Pendarovski do ta rishikojnë dhe të tërhiqet nga emërimi i Musliut.
Nga ‘Vila Vodno’ në vend se t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, na e ridërguan përgjigjen e djeshme, ku shkruajnë se Erolld Musliu është veçuar si zgjidhje për kryerjen e këtij funksioni, se është profesionist dhe se emërimi i tij është vlerësuar si pozitiv nga shërbimet e shteteve aleate.
Vetë Musliu nuk beson se Pendarovski do të tërhiqet nga vendimi i tij.
Pra nuk prisni që të ketë kthim prapa?
“Nuk besoj sepse mendoj se nuk ka argumente, prandaj ju them se këtu nuk ka çështje. Nuk e di se pse z. Bujar Osmani e tha këtë qëndrim, ai është zëvendëskryeministër në Qeveri, nuk e di pse është i shqetësuar, nga çka është i shqetësuar, nuk dha asnjëfarë shpjegimi, por jam i gatshëm, mund të bisedojmë edhe për këtë punë”, theksoi drejtori i Agjencisë për Zbulim, Erolld Musliu.
Përveç dyshimeve për përfshirje në ngjarjet në Lagjen e Trimave, 8 vite më parë në kohën kur në Maqedoni kryhej procesi i Lustrimit, BDI e akuzoi Musliun edhe për falsifikim dosjesh, andaj dhe kërkonte që i njëjti të mos zgjidhej nga ish-Presidenti Ivanov në krye të Agjencisë për Zbulim.