Rusia do të forcojë kapacitetin e saj ushtarak në rajonet e saj perëndimore dhe veriperëndimore në përgjigje të pranimit të pritshëm të Finlandës në NATO të martën.
Kështu ka thënë zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA, përcjell Telegrafi.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO vitin e kaluar pasi Rusia filloi agresionin mbi Ukrainë.
Finlanda ka një kufi prej 1,300 km (810 milje) me Rusinë që do të dyfishojë afërsisht kufirin e aleancës transatlantike që përballet me Moskën.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha vitin e kaluar se Rusia po merrte “kundërmasat adekuate” dhe do të formonte 12 njësi dhe divizione në rajonin e saj ushtarak perëndimor.
Ndërsa Grushko i tha RIA: “Ne do të forcojmë potencialin tonë ushtarak në drejtimin perëndimor dhe veriperëndimor. Në rast se forcat dhe burimet e anëtarëve të tjerë të NATO-s vendosen në Finlandë, ne do të ndërmarrim hapa shtesë për të garantuar me sigurinë ushtarake të Rusisë”.
Reagimi i Moskës zyrtare erdhi pasi u bë e ditur se Finlanda do të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s të martën.
Kombi nordik, i cili ndan një kufi me Rusinë, aplikoi për t’u bashkuar me aleancën ushtarake pas fillimit të agresionit në Ukrainë nga Vladimir Putin vitin e kaluar.
Ky është zgjerimi i parë i NATO-s që nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në aleancë në vitin 2020, përcjell Telegrafi.
Njoftimi u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se masa do ta bëjë Finlandën dhe anëtarët e tjerë “më të sigurt”.