15 C
Tetovo
E enjte, 24 Prill, 2025
BallinaLajmeFillon bojkoti i të punësuarve në Inspektoratin e Gjuhëve, katër muaj pa...

Fillon bojkoti i të punësuarve në Inspektoratin e Gjuhëve, katër muaj pa rroga

Ka filluar bojkoti i punës në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve pasi 17 të punësuar tanimë katër muaj nuk kanë marrë rroga, mëson Alsat. Të punësuarit gjithashtu kanë mbetur pa sigurim pensional, e që është më tragjike edhe pa sigurim shëndetësor. Për këtë, gjatë kësaj periudhe të punësuarit janë detyruar që të gjitha shërbimet në spitale t’i paguajnë në mënyrë private. Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, më 7 prill të këtij muaji u dha shpresë të punësuarve se është gjetur zgjidhje për çështjen e rrogave.

“Ndërsa për rrogat mendoj që sot marrin rrogën e parë dhe në mënyrë etapore do t’i marrin edhe dy të tjerat”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Por nga premtimi për sot, kaluan 17 ditë. Ndërsa, nuk dihet edhe sa ditë e muaj tjerë do të kalojnë që punëtorët të marrin rrogë. Fati i Inspektoratit momentalisht është në udhëkryq.

Neglizhenca e shtetit ndaj këtij institucioni kyç për mbrojtjen e respektimit të gjuhës shqipe nëpër institucione ka arritur majat. Funksionarët e politikanët e kujtojnë vetëm në data solemne sa për mburrje e lavd përpara qytetarëve, duke rrahur gjoks se kanë ngritur një institucion me rëndësi për komunitetin shqiptar.

Por në realitet, ky institucion momentalisht është jofunksional, me kuptimin e plotë të fjalës. Për këtë, nuk dëshmon vetëm fakti se janë lënë pa rroga katër muaj të punësuarit, por situata është bërë alarmante deri në pikën që Inspektorati madje nuk ka as letër e ngjyrë për të kryer detyrat elementare. Sikur të mos jetë e mjaftueshme kjo, sipas informatave të Alsat prej shtatorit të vitit të kaluar, Inspektoratit i janë përgjysmuar edhe zyrat, respektivisht prej 6 në 3. E të mos flasim që shteti shpërfill ndër vite kërkesën modeste të inspektorëve për një automjet zyrtar, diçka që do të ishte e paimagjinueshme të ndodhte në ndonjërin prej inspektorateve tjera. Deri më tani inspektimet në terren, janë bërë me vetura dhe shpenzime private.

Kaosi me Inspektoratin e Gjuhëve është krijuar pas ndryshimeve të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese të miratuara në dhjetor të vitit të kaluara, me të cilat të gjitha inspektorateve ua heq statusin juridik dhe i vendos nën kompetenca të Ministrive. Këtë, e pësoi dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve edhe pse statusi i tij juridik garantohet me nene të posaçme në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligji për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Inspektorati momentalisht ka mbetur në situatë absurde – edhe ka, edhe nuk ka status juridik.

Zëvendëskryeministri Mexhiti për këtë paralajmëroi në mes të muajit prill do të propozohet zgjidhje e re ligjore për të rregulluar statusin e Inspektoratit që të mos jetë në kuadër të Ministrisë, por të jetë në kuadër të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve. Por edhe për këtë, nuk ka kurrfarë aktiviteti. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments