Edhe pse në vendimin për arrest shtëpiak për Artan Grubin vlerësimin e sigurisë e kanë bërë MPB dhe ASK, ministri i Drejtësisë Igor Fillkov kritikat për caktimin e arrest shtëpiak i ka drejtuar ndaj Prokurorisë Publike dhe gjykatës. Fillkov thotë se vendimi i tyre është skandaloz dhe se besimi në sistemin juridik është lëkundur, duke kërkuar shpjegime për vendimin dhe nga Këshilli Gjyqësor të përcaktojë nëse ekziston bazë për përgjegjësi të atyre që e kanë shqiptuar masën.
PROKURORIA PUBLIKE:
“Kushtet e tilla në rastin konkret janë plotësuar, sepse sipas vlerësimit të organeve kompetente – MPB dhe ASK – ekzistojnë informacione serioze se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria personale e këtij të dyshuari. Detajet për këto kërcënime janë paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake. Prokuroria Publike e kupton interesin e publikut për këtë rast, por bën thirrje për përmbajtje nga komentet për vendimet legjitime prokuroriale, për të mundësuar një procedurë efikase dhe të drejtë”.
Fillkov thotë se nëse ekziston kërcënim për Grubin, shteti ka mekanizma për të garantuar sigurinë edhe në paraburgim në burg. A po e transferon ministri përgjegjësinë te Prokuroria Publike dhe gjykata, kur vlerësimin e sigurisë e bëjnë MPB dhe ASK?
“Nuk po ia kaloj përgjegjësinë askujt, vetëm po i konstatoj gjendjet dhe po i artikuloj shumë qartë”, tha Igor Fillkov, ministër i Drejtësisë.
Vendimi për zëvendësimin e paraburgimit efektiv me arrest shtëpiak për Grubin u mor dje pasdite, pasi Prokuroria Publike e propozoi dhe gjykata e pranoi që ai të jetë në arrest shtëpiak, pasi më parë MPB dhe ASK kishin dhënë vlerësim se ai nuk është i sigurt në burgun e Shutkës.
