Askush nuk mundet të fitojë pikë politik nga një çështje e ndjeshme, tha në konferencën e sotme për shtyp ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, duke komentuar shkarkimin e drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik – Shkup, Arben Ziberi.
“Shkarkimi pason pas deklaratës së tij në lidhje me punën e Komisionit, për të cilin konsideroj se groposi reputacionin e anëtarëve të Komisionit për Sëmundje Infektive, të cilët kanë punuar në përputhje me parimet profesionale. Mendoj se absolutisht askush nuk duhet të politizojë apo të marrë pikë politike për një çështje kaq të ndjeshme”, tha Filipçe.
Ministria e Shëndetësisë sot informoi se Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik-Shkup, Dr. Arben Ziberi, është shkarkuar nga pozita që ka mbajtur deri më tani, përcjell in7.
Kjo erdhi pas deklarimeve të tij se gjoja ai ka qenë vendimtar në hapjen e kufijve, duke bërë marketing politik në dobi të subjektit të cilit i takon dhe nga i cili subjekt politik është kandidat për deputet në njësinë zgjedhore numër 1.