Është shumë e vështirë që me siguri të thuhet se në cilin drejtim do të shkojë epidemiologjia, megjithatë duhet të përgatitemi për skenarët e këqij të cilët nënkuptojnë spitale të mbingarkuara, qendra të mbushura të kovidit dhe reparte të tjera të cilat i rialokojmë që të jenë reparte për pacientë me kovid. Kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht, theksoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në lidhje me situatën epidemiologjike me Kovid-19 në shtet.
Rialokimi në reparte të tjera, theksoi ministri, nënkupton se disa pacientë të tjerë presin për shërbim shëndetësor ose nuk detektohen me kohë sëmundje dhe të gjithë atë që e sjellim si rekomandim është në drejtim që të rritet përfshirja me vaksinim.
Në lidhje me vaksinat “Astra Zeneka” tha se presin që me disa dhjetëra mijëra vaksinat tjera nga ai prodhues të rritet ndoshta përfshirja e kategorisë së moshës të cilëve mund t’iu jepet ajo.
“U shkatërruan një pjesë e vaksinave bullgare të cilat ishin donacion dhe kjo është diçka të cilës ne i kushtojmë vëmendje. Vaksina ka mjaftueshëm dhe ato që do të vijnë deri në fund të vitit dhe disa që duhet të arrijnë si donacion. Nesër mbërrin donacioni nga Polonia, kështu që sasia e vaksinave nuk duhet të jetë diçka që na shqetëson. Janë shkatërruar 20.000 nga Bullgaria të cilat nuk u shfrytëzuan dhe ky shkatërrim kushtonte rreth 200 denarë”, potencoi Filipçe.
Në pyetjen nëse ka mjaftueshëm vaksina kundër gripit sezonal, ai tha se ka mjaftueshëm, sepse deri më tani janë regjistruar rreth 36.000 qytetarë, ndërsa falas ka 40 000 dhe plus 11 000 komerciale.
“Për momentin këtu jemi në kuadër të asaj që është vlerësim i zakonshëm për atë se sa qytetarë janë të interesuar për vaksinim kundër gripit sezonal”, shtoi Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas deklaratës për masat të cilat sot në takim i miratoi Komisioni për Sëmundje Ngjitëse”.