Ferhan Hasani ka lënë gjurmë në transfertën kundër AIK, aq sa është shënuar në histori të Conference League për golin më të shpejtë në këtë kompeticion. Vetëm 27 sekonda mjaftuan që ky lojtar të tundte rrjetën ndaj ekipit që ishte favorit për të fituar karshi Shkëndijës. Por si janë gjasat e skuadrës nga Tetova për të kaluar më tej? Në një prononcim për “Sport Ekspres”, njeriu i historisë ka thënë se mbrëmjen në Suedi nuk ka për ta harruar kurrë.Ajo mbrëmje e ndeshjes në Stokholm ishte një mbrëmje që nuk do ta harroj asnjëherë. Ishte mbrëmje përplot me emocione për shkak të pranisë së tifozëve të cilët kishin ardhur për të na përkrahur dhe Ballistëve që kishin bërë një rrugë tepër të gjatë deri në Stokholm. Golin që e shënova që në minutën e parë ua dedikova pikërisht atyre dhe në ato momente u ndjeva tepër i lumtur për golin e shënuar. Pas ndeshjes shokët e skuadrës më njoftuan se ai është goli më i shpejtë i shënuar në kuadër të Ligës së Konferencës dhe kjo më gëzoi edhe më tepër.
Përpara ndeshjes në Stokholm të gjithë e konsideronin AIK-un si favorit, por pas barazimit në ndeshjen e parë mendoj se gjasat për kalim të raundit janë 50:50. Në ndeshjen e kthimit ne jemi vendas dhe do të kemi përkrahjen e madhe të publikut, dhe ndoshta kjo na shton paksa gjasat për fitore, por e përsëris edhe njëherë se gjasat janë 50:50”, u shpreh Hasani.
Por sa janë të ndërgjegjshëm të Shkëndija e Tetovës, veçanërisht lojtarët, se nuk përfaqësojnë vetëm Tetovën në Europë? “Shkëndija që nga themelimi në vitin 1979 ka qenë klub që ka përfaqësuar dhe që ka bashkuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Prandaj te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut thuhet se Shkëndija është më shumë se një klub. Në ndeshjet që ne i zhvillojmë në garat evropiane kemi përkrahjen e të gjithë shqiptarëve nga të gjitha trojet, e kështu ndodhi edhe në Stokholm ku shumë shqiptarë me flamujt kuq e zi ishin të pranishëm në stadium. Ne jemi shumë krenarë për këtë, por kjo njëherit është edhe obligim për ne që të përfaqësojmë shqiptarët me dinjitet”, përfundoi Hasani. /Sport Ekspres/