Nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, Fatmir Limani, dje në një dalje televizive Click Plus tha se sipas tij, kryesia e partisë po punon për shkrirjen e BDI-së me LSDM-në.
Ai mbrëmë ka qenë i ftuar në emisionin “Click Plus”.
Siç bëhet e ditur, Limani është zëvendësdrejtor i ELEM-it, ndërsa një javë më parë ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në BDI, dhe është promovuar si kandidat i pavarur për kryetar të Kërçovës.
Limani në emision ka hedhur një sërë akuzash ndaj kryetarit aktual të Komunës së Kërçovës, Fatmir Deharit. Ai thotë se punon në mënyrë të pandershme, joprofesionale dhe është arsyeja që të rinjtë nga Kërçova të shkojnë jashtë vendit. Sipas tij, në Komunën e Kërçovës ka korrupsion.
Nipi i Ali Ahmetit ka vërejtje të rënda për kryesinë e re të BDI-së, duke e akuzuar atë se po punojnë që bashkimi i LSDM-së, gjegjësisht BDI-së dhe LSDM-së të bëhen një.Nuk mund të them me siguri se Ahmeti po punon për shkrirjen e BDI-së me LSDM-në, por me politikat dhe veprimet e tij në muajt e fundit po bëhet e qartë se Ahmeti po punon në atë drejtim. Prandaj jam i revoltuar. Prandaj ka edhe shumë anëtarë të tjerë të BDI-së që janë kundër këtij bashkimi. E kam fjalën për Musa Xhaferin, Izet Mexhitin, Sadula Durakun, Blerim Bexhetin e të tjerë. “Këta janë kundër politikave aktuale të BDI-së dhe kundër emërimit të zyrtarëve të BDI-së në qeveri, sepse asnjëri prej tyre nuk i ka kaluar filtrat partiakë”, tha Limani.