“Jeta në Maqedoninë e Veriut po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë dhe qytetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të plotësojnë nevojat elementare të jetës. Indeksi i kostos së jetesës në janar 2025, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ka shënuar rritje prej 4,9%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është rritur për 5,2%”, thotë Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.
Sipas tij, në këto kushte, ku rritja e çmimeve tejkalon rritjen e të ardhurave, gjithnjë e më shumë familje po përballen me vështirësi financiare dhe për shumëkënd, paga mujore nuk mjafton më as për shpenzimet më elementare.
“Në vend që qeveria të ndërhyjë dhe të frenojë krizën, shohim mosinteresim, zvarritje dhe mungesë të plotë të masave që do të mbrojnë fuqinë blerëse. Sot si opozitë e përgjegjshme propozojmë ndryshime konkrete ligjore që do të çojnë në mbrojtjen dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit kanë dorëzuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për TVSH-në, me të cilin kërkojmë uljen e taksës për energjinë elektrike nga 18% në 5%, por edhe heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, gjegjësisht uljen e saj nga 5% në 0%. Me këto propozim-amandamente kërkojmë realizimin sistematik të dy nga shtatë masat ekonomike të LSDM-së, thekson Bytyqi.
Sipas tij, ulja e TVSH-së për energjinë elektrike do të nënkuptojë 13% më të ulëta të faturave, pra më të lirë të energjisë elektrike për mbi 600 mijë amvisëri.
“ Për një faturë prej 3.000 denarë, qytetarët do të kursejnë rreth 400 denarë – shumë që në vend që të shkojë në buxhetin e shtetit, do të mbetet në buxhetet familjare. Nga ana tjetër, heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë do të sjellë ushqime më të lira, pra ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë me 5%. Pavarësisht se prej muajsh premtojnë masa për uljen e çmimeve, po shohim një debakli të plotë të politikave të qeverisë. E ashtuquajtura “Shportat e festave kundër krizës” përjetuan fiasko! Ngrirja e paralajmëruar e marzheve ende nuk është miratuar! Derisa qeveria po i përgjigjej çmimeve të ushqimeve, qytetarët filluan të paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Ministria e Energjisë është themeluar, por vitin e kaluar ka realizuar vetëm 50% të investimeve kapitale të planifikuara. Prodhimi i brendshëm i energjisë nuk po rritet, duke na bërë edhe më të varur nga importet e shtrenjta”, theksoi Bytyqi.