9.1 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeFatmir Besimi: Zhvillimi i kapitalit njerëzor për “Europën në shtëpi”

Fatmir Besimi: Zhvillimi i kapitalit njerëzor për “Europën në shtëpi”

Sipas nobelistit Joseph Stieglitz – “Zhvillimi nuk është vetëm rritje ekonomike, por edhe përmirësim i cilësisë së jetesës së njerëzve”. Ndërsa, sipas babait të teorisë së menaxhimit, Peter Drucker – “Burimi më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik janë njerëzit dhe vetëm njerëzit, me ç’rast kapitali dhe lëndët e para nuk janë motori i ekonomisë”. Mirëqenia e njerëzve varet nga ekonomia dhe ajo varet nga kontributi i njerëzve – inputi.

Në përgjithësi në ekonomi dhe shoqëri, sa herë që ka zgjidhje adekuate sistemike, ofrohen rezultate të duhura. Shembull i mirë rreth kësaj është rritja e fundit e pagës minimale, sipas sistemit të vendosur të harmonizimit të nevojave – kostove të jetesës dhe rezultateve – pagës mesatare. Për avancimin e sistemit dhe për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik nevojiten edhe ndryshime sistemike – ndryshime strukturore që do ta përmirësojnë produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë sonë dhe do të sigurojnë rezultate më të mira ekonomike. Siç e theksova, njerëzit janë burimi më i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, prandaj investimi në to është një pjesë shumë e rëndësishme e krijimit të këtij sistemi që do të ofrojë rezultate më të mira ekonomike dhe standard më të lartë jetese. Paraprakisht kam shkruar për rëndësinë e produktivitetit në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe rritjes së pagave, tani këtë kolumnë ia dedikoj në mënyrë specifike asaj që mund të nxisë produktivitetin – kapitalit njerëzor.

Kapitali njerëzor paraqet njohuritë, shkathtësitë dhe karakteristikat e tjera personale të akumuluara që u ndihmojnë njerëzve të jenë më produktivë. Përvetësimi i arsimit formal (arsimi në fëmijërinë e hershme, sistemi formal shkollor i vendit dhe programet e krijimit të shkathtësive), por edhe edukimi joformal (të mësuarit në vendin e punës dhe fitimi i përvojës së punës), janë mënyra të krijimit të kapitalit njerëzor. Dy shtyllat e tjera mbi të cilat bazohet krijimi i kapitalit njerëzor janë qasja në mbrojtjen shëndetësore, si dhe kujdesin dhe inkluzionin social

Teoria e kapitalit njerëzor

Duke shqyrtuar teorinë e kapitalit njerëzor, ekzistojnë disa klasifikime, duke filluar nga Becker, pikëpamja e të cilit është se kapitali njerëzor rrit produktivitetin e punëtorit në të gjitha veprimtaritë edhe pse varion në varësi të aktivitetit, organizimit ose situatës. Ai e percepton kapitalin njerëzor si input njëdimensional në funksion të prodhimit. Gardner vlerëson të kundërtën, ekzistojnë një numër i madh i shkathtësive të ndryshme, ku klasifikimi më i thjeshtë i kapitalit njerëzor do të ishin aftësitë mentale dhe fizike. Këndvështrimet e Schultz/Nelson-Phelps për kapitalin njerëzor bazohen në aftësinë për t’u adaptuar. Sipas kësaj qasjeje, kapitali njerëzor është i dobishëm në mjedise të ndryshueshme, ku punëtorët adaptohen me ndryshimin. Bowles dhe Gintis ishin të mendimit se kapitali njerëzor paraqet aftësinë e të punuarit në organizatë dhe kryerjes së detyrave të dhëna dhe se roli kryesor i shkollave është ngulitja e ideologjisë së kësaj mënyre të funksionimit. Spence përcakton kapitalin njerëzor si aftësi, veçmas të dobishme në procesin e prodhimit. Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, e përbashkëta është se kapitali njerëzor kontribuon në kryerjen e procesit të punës dhe fitimin e kompanive, prandaj vlerësohet në treg.

Nga pikëpamja makroekonomike, kapitali njerëzor është fuqi thelbësore në nxitjen e rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë, pasi njerëzit janë bartësit e faktorëve të tjerë të prodhimit, si kapitali fizik dhe infrastruktura. Në disa punime shkencore analizohet dhe përcaktohet korrelacioni ndërmjet edukimit të popullsisë, nivelit të produktivitetit dhe shkallës së zhvillimit ekonomik. Me rritjen e produktivitetit, ekonomia mund të prodhojë dhe konsumojë më shumë të mira dhe shërbime në të njëjtën kornizë kohore, me ç’rast nxitet rritja ekonomike. Si rrjedhojë, vendet që kanë cilësi më të lartë të kapitalit njerëzor janë më të zhvilluara. Kjo pasqyron indeksin e kapitalit njerëzor të Bankës Botërore, ku ekonomitë më të zhvilluara kanë indeksin më të lartë të kapitalit njerëzor, përkatësisht kanë shfrytëzim më të mirë të produktivitetit potencial të punës.

Investimi në kapitalin njerëzor është investim i mençur

Disa analiza, studime të organizatave ndërkombëtare përcaktojnë ndikimin e politikave për avancimin e kapitalit njerëzor në rritjen ekonomike dhe standardin e qytetarëve, duke treguar lidhjen midis përvetësimit të njohurive, shkathtësive dhe rezultateve ekonomike. Kështu, për shembull, analizat e politikave për avancimin e kapitalit njerëzor të Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OECD), për vendet anëtare tregojnë se ndjekja e arsimit parashkollor mund ta rrisë PBB-në për çdo banor deri në 5.5%, rritja e proporcionit mësues-nxënës do të kontribuonte në rritjen e PBB-së për çdo banor deri në 3.3%, ndërsa autonomia e universiteteve dhe shkollave mund të rezultojë në rritje të PBB-së për çdo banor deri në 3%. Hulumtime të tjera kanë treguar se për një vit shtesë shkollimi, të ardhurat rriten për 9% në nivel vjetor dhe kjo normë e tillë e rritjes mbetet stabile në vijimësi gjatë jetës. Ndryshe, këto përqindje janë edhe më të larta për vendet në zhvillim, gjithashtu janë më të larta te gjinia femërore.

Qëndrueshmëria dhe inkluziviteti i zhvillimit varet nga shpërndarja e kapitalit njerëzor midis popullsisë. Për shembull, nëse vetëm disa kanë shkathtësitë e nevojshme për t’i shfrytëzuar teknologjitë e reja, ekonomia në tërësi mund të përballet me kufizime në nxitjen e rritjes nëpërmjet adoptimit të këtyre teknologjive. Të përkujdesurit për drejtësinë dhe përfshirjen e shpërndarjes së kapitalit njerëzor ndërmjet popullatës nuk është vetëm çështje etike, por edhe përzgjedhje më e përshtatshme ekonomike.

Investimi në kapitalin njerëzor është ndër investimet më të mençura për ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Megjithatë, duhet theksuar se krijimii i kapitalit njerëzor cilësor është proces që kërkon më shumë kohë dhe burime, ku si rrjedhojë, ky proces sjellë rezultate me të ardhura dhe vëllim më të madh.

Fuqia punëtore joadekuate është sfidë e madhe për ekonominë

Për një dekadë, shkalla e varfërisë në vend është përgjysmuar, ndërsa shkalla e varfërisë ekstreme është ulur për tre herë. Shkalla e papunësisë në vitin 2022 është ulur në 14.4%, ku dhjetë vjet më parë kjo shkallë ishte 30.6%. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeçare gjithashtu ka rënë, por kjo shkallë mbetet e lartë me 32.5% të totalit të të papunësuarve. Plakja e popullsisë (një në tre qytetarë pritet të jetë mbi 60 vjeç deri në vitin 2050) dhe emigracioni janë sfida shtesë për produktivitetin. Duke marrë parasysh shkallën e ulët të natalitetit edhe numri më i vogël i largimit të punëtorëve të kualifikuar ndikon negativisht në shkathtësitë e përgjithshme në ekonomi.

Sipas një studimi të kryer nga Banka Botërore në vitin 2017, një pjesë e konsiderueshme e kompanive e rangojnë fuqinë punëtore joadekuate të kualifikuar si një nga kufizimet më të mëdha të mjedisit afarist. Rëndësi esenciale ka edhe forcimi i shkathtësive dhe produktivitetit të punëtorëve për ta përmirësuar aftësinë e tyre për përkrahjen e popullsisë së plakur dhe për ta reduktuar presionin e shpërnguljes jashtë vendit, veçanërisht te të rinjtë. Pabarazitë gjinore, etnike dhe gjeografike ndikojnë gjithashtu negativisht në performancën e tregut të punës.

Rritja e cilësisë së kapitalit njerëzor do të ketë rëndësi kyçe për orientimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik më të qëndrueshëm dhe inkluziv, si dhe ballafaqimit me sfidat e reja që lidhen me produktivitetin, përfshirjen në tregun e punës dhe plakjen e popullsisë. Në dekadën e fundit, cilësia e kapitalit njerëzor në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përmirësuar, sipas Indeksit të Kapitalit Njerëzor të Bankës Botërore, megjithatë mbetet në nivel relativisht të ulët prej 0.56. Kjo do të thotë se një fëmijë i lindur sot në Maqedoninë e Veriut, kur të rritet, do të shfrytëzojë vetëm 56% të produktivitetit të tij potencial. Në krahasim, një fëmijë i lindur në ekonomitë e zhvilluara do të arrijë 80% të produktivitetit të tij, ndërsa mesatarja e BE-së është 0.75, ose 75% e produktivitetit potencial.

Strategjia e zhvillimit të kapitalit njerëzor deri në vitin 2030

Duke pasur i parasysh këto aspekte, Qeveria në bashkëpunim me Bankën Botërore hartoi Strategjinë e kapitalit njerëzor deri në vitin 2030, ku fokusi është në tri fusha kyçe dhe të ndërlidhura – arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale – të cilat do ta ndihmojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut për ta përforcuar dhe përmirësuar kapitalin njerëzor për zhvillimin inkluziv. Aktivitetet bazohen në katër shtylla strategjike: 1.Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve; 2.Fokusi më i madh në nevojat e grupeve të ndjeshme të popullsisë; 3. Rritja e shpenzimeve për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen, si dhe shpenzimet më efikase të mjeteve dhe 4.Përmirësimi i kapaciteteve për rezistencë të sektorëve të kapitalit njerëzor nëpërmjet përvojave të pandemisë COVID-19.

Axhenda për kapitalin njerëzor përfshin disa institucione në Qeveri, respektivisht Ministrinë e Financave, e cila sa i përket kësaj teme është në koordinim të ngushtë me disa ministri të tjera, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Megjithatë, vlen të theksohet se suksesi i Strategjisë varet nga një angazhim shumë më i gjerë i institucioneve dhe palëve të tanguara, duke përfshirë pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Qasje holistike ndaj arsimit për rezultatet më të mira

Edhe pse në investimin e kapitalit njerëzor merret parasysh mbrojtja shëndetësore dhe sociale, sipas definicionit kur flasim për kapitalin njerëzor, në radhë të parë bëhet fjalë për arsimin – krijimin e njohurive dhe shkathtësive. Si profesor në thirrje, diskutimi për sistemin arsimor në vendin tonë dhe vënia e kuantitetit në funksion të cilësisë së të mësuarit është gjithmonë një temë e ndjeshme për mua. Respektivisht, edhe pse deri në moshën 18 vjeçare nxënësit tanë për 11 vite përfundojnë arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm dhe përvetësojnë cilësi të të mësuarit ekuivalente me 7.3 vite shkollim – me pothuajse 4 vite të shkollimit të humbur si rezultat. Prezenca në shkollë nuk nënkupton mësim, ndërkohë që mësimdhënia cilësore ka rëndësi kruciale për zhvillimin holistik të nxënësve dhe të mësimit të tyre. Potenciali më i madh qëndron në përmirësimin e cilësisë së të mësuarit, në vend se, thjesht, rritjes së kohëzgjatjes së shkollimit.

Për përmirësimin e cilësisë së arsimit do të ndërmerren veprime nëpërmjet krijimit të strukturave si Korniza nacionale e vlerësimit – propozim koncept i ri për maturën në arsimin e mesëm, si dhe reforma gjithëpërfshirëse në arsimin fillor përmes dixhitalizimit, zhvillimit të kurrikulave për nevojat e nxënësve dhe qasje ndërdisiplinore në studime, por edhe investime në arsimin e mesëm profesional dhe mësimin e detyrueshëm nëpërmjet punës. Disa nga proceset kryesore reformuese përfshijnë përgatitjen e formulave të reja të financimit nga arsimi parashkollor në arsimin e lartë, të cilat përfshijnë një sistem të meritave, respektivisht elemente të shpërblimit të arritjeve (rezultateve).

Profesionalizimi dhe cilësia e kuadrit mësimdhënës kanë rëndësi të njëjtë në proces, prandaj investimi në avancimin e performancës së tyre ka rëndësi kyçe. Në kuadër të masave të strategjisë, fokusi vihet edhe në inkluzivitetin në arsimin formal, veçanërisht te kategoritë e ndjeshme.

Si mund ta ulim nivelin e largimit të intelektualëve (brain drain) dhe të rinjve nga vendi?

E rëndësishme është që kur krijojmë kuadro cilësore – t’i mbajmë ata në vend. Në dekadat e fundit, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në të gjithë rajonin, largimi i intelektualëve dhe të rinjve është sfidë e madhe. Për shembull, sipas statistikave të Bankës Botërore, në Bosnje dhe Hercegovinë rreth 50% e popullsisë emigrojnë nga vendi, në Shqipëri 40%, në Maqedoninë e Veriut një e treta e popullsisë së arsimuar universitare jeton jashtë vendit. Këto janë shifra të konsiderueshme. Largimi i kuadrove të arsimuara dhe të trajnuara është barrë e madhe fiskale për vendet, sepse në to është investuar dhe nuk marrin pjesë në produktivitetin dhe krijimin e produktit të brendshëm bruto.

Nuk ka zgjidhje të menjëhershme për këtë problem dhjetëvjeçar, por ka politika që mund të zhvillohen për ta zgjidhur këtë në periudhë afatgjate. Zhvillimi i sektorit privat dhe hapja e vendeve të punës me pagesë më të lartë, vijuar me reforma në sektorin publik që do ta përkrahin këtë aspekt është pjesë e këtyre politikave dhe kësaj zgjidhjeje, si dhe rritja e produktivitetit në pozitat e larta profesionale, shumë prej të cilave janë edhe në sektorin publik.

Zgjerimi dhe avancimi i arsimit terciar dhe i studimeve pasuniversitare, gjithashtu mund të ofrojnë rezultate të mira për ta zgjidhur problemin e largimit të kuadrove, megjithëse besohet se kjo mund të nxisë më tej largimin e tyre. Kroacia dhe Rumania janë shembuj të mirë ku me avancimin e vazhdueshëm të arsimit terciar kanë kontribuar në mbajtjen e kuadrove në vend.

Barazia gjinore është gjithashtu faktor shumë i rëndësishëm në këto politika. Përkatësisht, duke u dhënë më shumë mundësi gjinisë femërore, të cilat shpesh janë të margjinalizuara në shoqëri, mund të ruhen kuadrot profesionale.

Përmirësimi i lidhjes, rrjetëzimit është një mënyrë e mirë për ta shfrytëzuar diasporën për përfitime ekonomike në vend. Përveç remitancave nga jashtë, emigrantët mund të kenë ndikim të madh në ekonominë vendase nëpërmjet investimeve dhe transferimit të teknologjive më të larta.

Lehtësimet tatimore dhe përfitimet janë ndër politikat që mund t’i sjellin në vend kuadrot shumë profesionale. Duke pasur parasysh se kthimi i tyre do të përkrahte zhvillimin ekonomik, kapitalin dhe njohuritë, disa vende vendosin që ta stimulojnë kthimin e tyre edhe në këtë mënyrë. Megjithatë, qasja afatgjate më efektive për parandalimin e largimit të intelektualëve nga vendi është parandalimi që ky fenomen mos ndodhë fare, domethënë t’u jepet atyre një arsye e mirë për të qëndruar, si krijimi i vendeve më të mira të punës, më shumë mundësi dhe standarde më të mirë jetese.

Rritje sistemike e pagave, monitorim i produktivitetit dhe përmirësim i standardeve të jetesës

Prioriteti ynë si Qeveri është standardi më i mirë i jetesës për qytetarët dhe cilësia më e mirë e jetës për qytetarët tanë. Pagat sigurisht që luajnë rol të rëndësishëm në arritjen e këtyre qëllimeve. Në 6 vitet e fundit, Qeveria e rriti për 100% pagën minimale (124% për industrinë e lëkurës, tekstilit dhe industrinë e prodhimit të veshjeve). Si rezultat, paga mesatare për këtë periudhë është rritur për mbi 50%. Gjithashtu, rriten pensionet dhe përfitimet për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve (vendi ynë ishte i pari në rajon që vendosi të ardhurat minimale të garantuara).

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, PBB-ja në vitin 2022 realizoi rritje prej 2.1%, që sipas të dhënave nga regjistrimi i vitit 2021, PBB-ja për çdo banor në vitin 2022 do të ishte rreth 7500 euro ose 50% më shumë në periudhën krahasuese për 6 vitet e kaluara. Kjo do të thotë se rritja e pagave ka ndjekur rritjen ekonomike në vend, që do të thotë se mbetet angazhimi që pagat ta ndjekin produktivitetin dhe ta përmirësojnë standardin e jetesës. Kjo do të ishte një qasje ekonomikisht e qëndrueshme edhe për pagat në sektorin publik. Siç e kam theksuar vazhdimisht, na duhen ndryshime strukturore, që rritja ekonomike të përshpejtohet dyfish dhe për të ofruar paga më të larta dhe standard më të mirë jetese për qytetarët. Ofensiva krijuese që kemi nisur është në këtë drejtim – të krijojmë vlera të reja për ekonominë, punë për kompanitë tona, vende të reja pune, duke nxitur më tej zhvillimin e më shumë degëve ekonomike si transporti, tregtia dhe turizmi. Në këtë drejtim është krijimi i instrumenteve të reja financiare që do ta mobilizojnë kapitalin në investime të reja (sipas Planit të rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike). Nxitja e hyrjes së kapitalit të huaj në vend është gjithashtu i rëndësishëm, jo vetëm nga aspekti i investimeve, por edhe nga aspekti i bartjes së teknologjive dhe njohurive të reja.

Përkrahja e inovacionit dhe konkurrencës së kompanive vendase ka rëndësi të jashtëzakonshme – sepse janë ato që krijojnë vlerën e re në ekonomi. Dhe së fundi, i referohemi sërish kapitalit njerëzor, sepse ai është shtytësi i të gjitha pikave të renditura më sipër. Varet nga ne se sa do të japim input në ekonomi. Besoj në shpërblimin e drejtë dhe kthimin e drejtë të investimit në ekonomi dhe jam për paga më të larta për të gjithë të punësuarit dhe për krijimin e kushteve evropiane të jetesës këtu në vendin tonë (kjo nënkupton produktivitet më të lartë, por edhe konkurrencë dhe përfitim më të madh të ekonomisë). Gjithashtu jemi duke zbatuar një strategji adekuate që e realizojmë dhe jam i kënaqur që pavarësisht krizave të shumta që kanë kapluar botën dhe ekonominë tonë, po bëjmë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Besoj se rezultatet afatgjata nuk do të mungojnë dhe do të kemi mundësi t’i diskutojmë dhe analizojmë më tej.

“Evropa në shtëpi” për perspektivë dhe jetesë më të mirë

“Kërkimi i jetesës më të mirë dhe fatit.” Kjo është përgjigjja më e shpeshtë që do të merrni nga ata që janë larguar nga vendi ose nga ata që e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. (Paga nuk është gjithmonë arsyeja e vetme.) Sipas perspektivës personale të atyre që janë të vendosur që të ndërmarrin një hap të tillë, ky është një këndvështrim krejtësisht racional dhe i justifikuar, veçanërisht kur e dimë se globalizimi dhe liberalizimi e promovojnë këtë – lirinë e lëvizjes së njerëzve (dhe fuqisë punëtore), mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njohurive. Në këto liri të lëvizjes bazohet edhe Bashkimi Evropian. Megjithatë, në këtë garë globale për burime edhe ne duhet të kemi një strategji dhe axhendë të mirëvendosur për mbajtjen dhe stimulimin e faktorëve për zhvillimin e ekonomisë sonë.

Sa i përket të rinjve dhe kuadrove profesionale, me rëndësi është që të bëhet: 1) sigurimi i perspektivës, 2) hapja e mundësive të reja, 3) përmirësimi i cilësisë së jetesës, 4) përforcimi i besimit në institucione dhe 5) përforcimi i ndjenjës së përkatësisë përmes përfshirjes më të madhe në proceset e rëndësishme të shoqërisë.

Personalisht, vlerësoj se koncepti “Evropa në shtëpi” integron të gjitha motivet e potencuara për mbajtjen dhe orientimin e të rinjve dhe intelektualëve në vendin tonë. Këtë e siguron procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ku me hapjen e negociatave hapen mundësi të reja dhe me anëtarësimin e plotë do të krijohen mundësi krejtësisht të barabarta për zhvillim dhe perspektivë si në vendin tonë ashtu edhe në BE. Respektivisht, hyrja jonë në BE do të thotë që Evropën t’a sjellim në vendin tonë, në shtëpinë tonë së bashku me standardet, cilësinë e jetesës dhe mundësitë e saj.

    RELATED ARTICLES
    - Advertisment -

    Most Popular

    Recent Comments