Stafi akademik i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës i është drejtuar me mendime dhe sugjerime Byrosë për Zhvillimin e Arsimit në Shkup, lidhur me Draft-Koncepcionin për reforma në arsimin e mesëm (niveli i gjimnazit), të përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Duke vlerësuar rëndësinë e reformës, stafi akademik deklaron se shpreh mbështetjen e tij për ndryshime thelbësore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor, megjithatë, Fakulteti Pedagogjik shpreh mospajtim profesional lidhur me mospërfshirjen e lëndës së Pedagogjisë në planin e ri mësimor, as si lëndë obligative dhe as si lëndë zgjedhore, ndonëse në programin e mëparshëm ajo ka qenë e përfaqësuar si lëndë zgjedhore, transmeton Portalb.mk.“Në planin e ri mësimor janë paraparë si lëndë zgjedhore dyvjeçare Psikologjia, Logjika dhe Etika, të cilat i përkasin fushës së shkencave humane dhe shoqërore. Sipas stafit akademik, është e pajustifikueshme që Pedagogjia, si një nga shtyllat themelore të shkencave të edukimit dhe e lidhur drejtpërdrejt me qëllimet dhe kompetencat e parashikuara në Konceptin e ri, të mos jetë pjesë e këtij plani”, thuhet në njoftim.
Pas shqyrtimit të Draft-Koncepcionit për reformat në arsimin e mesëm të përgjithshëm (niveli i gjimnazit), ata shtojnë se mbështesin përpjekjet për modernizimin e arsimit të mesëm, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të kompetencave kyçe të nxënësve, përmirësimit të kurrikulave, zbatimit të metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare.
“Megjithatë, shprehim mospajtim profesional lidhur me faktin që lënda e Pedagogjisë nuk është paraparë as si lëndë obligative dhe as si lëndë zgjedhore në planin e ri mësimor, ndonëse në programin e mëparshëm ajo ka qenë e përfaqësuar si lëndë zgjedhore. Në planin e ri mësimor janë përfshirë si lëndë zgjedhore dyvjeçare Psikologjia , Logjika dhe Etika, të cilat i përkasin fushës së shkencave humane dhe shoqërore. Megjithatë, konsiderojmë se është e pajustifikueshme mospërfshirja e Pedagogjisë, e cila së bashku me Psikologjinë përbën bazën e shkencave të edukimit dhe është drejtpërdrejt e lidhur me qëllimet dhe kompetencat e përcaktuara në Konceptin e ri”, thuhet në njoftim.
Largimi i Pedagogjisë si lëndë, shtojnë ata, kufizon qasjen e nxënësve në një fushë kyçe të shkencave të edukimit. Zvogëlon mundësitë për të kuptuar raportet mes mësimdhënësit dhe nxënësit, menaxhimin e klasës dhe metodologjitë e mësimdhënies.
Duke marrë parasysh qëllimet e reformës dhe strukturën e planit të ri mësimor, ata propozojnë:
Rivendosjen e Pedagogjisë si lëndë obligative, ose
Përfshirjen e Pedagogjisë si lëndë zgjedhore dyvjeçare (III–IV) në grupin e lëndëve zgjedhore ku aktualisht përfshihen Psikologjia ,Logjika dhe Etika.
Në këtë mënyrë do të krijohej një program më i balancuar i shkencave humane dhe edukative që mbulon:
Zhvillimin psikologjik të individit (Psikologjia),
Aspektet logjike dhe etike (Logjika dhe Etika),
Proceset e të nxënit dhe edukimit (Pedagogjia).
Nëse nuk ekziston mundësia për përfshirjen e saj si lëndë zgjedhore dyvjeçare, propozojmë që Pedagogjia të përfshihet të paktën si lëndë e lirë zgjedhore formë punëtorish ose projektesh që lidhen me:
strategjitë e të nxënit;
zhvillimin personal;
komunikimin dhe bashkëpunimin;
menaxhimin e konflikteve;
kulturën inkluzive në shkollë.
“Duke respektuar rëndësinë e të gjitha disiplinave të tjera shkencore dhe strukturën e konceptit të ri, konsiderojmë se përfshirja e Pedagogjisë do të kontribuonte në realizimin më të plotë të qëllimeve të reformës dhe në zhvillimin e kompetencave kyçe të nxënësve”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut deri më 28 shkurt do të mund të pranojë sugjerime e vërejtje në lidhe me konceptin e ri të arsimit të mesëm.
“Të gjitha propozimet dhe sugjerimet do të mund të dërgohen përmes adresës elektronike [email protected], më së voni deri më 28 shkurt”, raportoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.
Në këtë debat publik do të mund të përfshihen të gjithë të interesuarit, mësimdhënësit, punëtorët profesional, drejtorët, nxënësit, prindërit dhe komuniteti akademik.
Ministria theksoi që ky propozim i ri është rezultat i analizës gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe vërejtjet që dolën nga debate i publik i vitit të kaluar.
