7.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeEscobar shpreson se Shkupi do të miratojë ndryshimet e Kushtetutës

Escobar shpreson se Shkupi do të miratojë ndryshimet e Kushtetutës

I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar gjatë vizitës dy ditore në Shkup shprehu mbështetjen e fortë të Uashingtonit për rrugën e integrimit të Shkupit drejt Bashkimit Evropian.

Ai tha se pret vazhdimin e procesit të ndryshimit të Kushtetutës, “të cilin SHBA dhe BE e konsiderojnë si një hap të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian”.

Ndërkaq, drejtuesi opozitar maqedonas i ka konfirmuar zotit Escobar qëndrimin kundër këtyre ndryshimeve.

“Nuk jam këtu për të torturuar askënd!”, u përgjigj me shaka i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar pas komenteve të këtyre ditëve të drejtuesit opozitar maqedonas se diplomatë perëdimorë po arrijnë në Shkup për të ushtruar trysni që opozita maqedonase t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, raporton VOA.

“SHBA-të i shikojnë si partnerë natyrorë ata që i janë përkushtuar integrimit evropian, NATO-s dhe luftës kundër korrupsionit”, shtoi zoti Escobar, ndërsa tha se pret të dëgjojë dhe shkëmbejë pikëpamje me drejtuesin opozitar.

“Në Maqedoninë e Veriut sot është i pranishëm një zyrtar i lartë i një vendi shumë miqësor siç janë SHBA dhe zoti Escobar është në vizitë të rregullt në rajon”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski duke hedhur poshtë këmbënguljet e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski se “qeveria gjunjëzohet për të sjellur diplomatë të huaj që të ushtrojnë trysni si pjesë e një komploti botëror me qëllim të sigurimit të votimit të ndryshimeve të kushtetutës”.

Zoti Escobar theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të llogaris mbështetjen amerikane për sfidat që ka. Ai tha se SHBA-të dëshirojnë integrimin e këtij vendi në BE, teksa u shpreh se: “Sa i takon zgjerimit të BE-së, Ballkani Perëndimor është një rajon më shpresëdhës për Evropën në këto momente me potenciale për të kontribuar në fushën e energjisë dhe fusha të tjera”.

“Evropa ka nevojë për ju; SHBA-të kanë nevojë për ju brenda Evropës; ka shpresë sepse jeni partner strategjik më i afërm dhe Amerika ka përfituar nga ky partneritet dhe ju do të përfitoni duke bërë zgjedhjen e vështirë për një të ardhme të ndritur”, theksoi ai gjatë një konference për gazetarë me kryeminstrin Dimitar Kovaçevski.

I dërguari amerikan u takua edhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Mickovski.

Ky i fundit ka konfirmuar qëndrimin e njohur kundër ndryshimeve kushtetuese. Mickovski, sipas një komunikate të partisë i ka thënë zotit Escobar se “autoritetet qeveritare për shumë çështje të brendshme politike e keqinformojnë komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Mickovski më herët gjatë ditës kishte paralajmëruar në Facebook se “mbajtja artificale çdo ditë më shumë e këtij pushteti do të thoshte krizë më e thellë për vendin”.

VMRO-DPMNE-ja vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë mundësia e vetme e daljes nga kriza dhe se ndryshimet e Kushtetutës, janë pjesë e një diktati bullgar, sipas saj.

Ndërkohë, zoti Escobar në lidhje me fillimin e procesit për ndryshimet e kushtetutës, tha se SHBA-të e mirëpresin këtë sepse presin me emocion ta shikojnë Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian.

“Dëshirojmë që t’i kemi miqtë tanë të ngushtë në të gjitha strukturat euro-atlantike. Gëzohem që procesi në parlament filloi dhe shpresoj të vazhdojë”, u shpreh zyrtari amerikan.

“SHBA kanë qenë dhe janë me ne në të gjitha proceset kyçe për përparimin demokratik të vendit tonë, që nga pavarësia deri më sot dhe janë mbështetësit kryesorë të dy synimeve strategjike, siç janë anëtarësimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri maqedonas, Kovaçevski.

Ai është i sigurtë se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Bullgaria ose Bashkimi Evropian pas ndryshimit tëkushtetutës ku duhet të përfshihet pakica bullgare.

“Nuk do të ketë një marrëveshje të re dhe as nuk ka mundësi për rinegociimin e kornizës së bisedimeve; korniza e mbron tërësisht gjuhën dhe identitetin maqedonas, ndërsa mundëson ndërtimin e një shoqërie përparimtare dhe në mirëqenie”, tha zoti Kovaçevski.

Analistët mendojnë se është e vështirë të sigurohen dy të tretat e votave në parlament për miratimin e ndryshimeve të Kushtetutës. Kjo do të thoshte ngecje e vendit të vogël ballkanik në rrugën evropiane dhe për rrjedhojë, sipas analistëve krizat do të jenë të pashmangshme

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments