Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se vendi i tij ndodhet në gjendje alarmi për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se disa aktorë po e përkeqësojnë situatën.
Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Erdogan tha se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet në rajon dhe se institucionet shtetërore janë në gatishmëri të plotë që nga 28 shkurti.
Ai iu referua edhe incidentit me një raketë balistike iraniane që, sipas tij, u lëshua drejt Turqisë dhe u interceptua nga NATO. Erdogan e cilësoi këtë veprim si “jashtëzakonisht të gabuar dhe provokues” nga ana e Iran.
“Që nga 28 shkurti jemi në gjendje alarmi në të gjitha nivelet. Kemi mobilizuar të gjitha institucionet e shtetit dhe po ndjekim zhvillimet minutë pas minute”, u shpreh ai.Presidenti turk njoftoi gjithashtu masa për forcimin e pranisë ushtarake në pjesën veriore të Qipros, e kontrolluar nga turqit, duke bërë të ditur se Turqia ka dislokuar gjashtë avionë luftarakë F-16 Fighting Falcon dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për të rritur sigurinë në zonë.
Erdogan theksoi se prioriteti kryesor i qeverisë së tij është mbrojtja e Turqisë dhe e qytetarëve të saj. “Synimi ynë është ta mbajmë vendin tonë larg këtij konflikti. Siguria e Turqisë dhe mirëqenia e 86 milionë qytetarëve është prioriteti ynë më i madh”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, lideri turk theksoi se Ankaraja po përpiqet të parandalojë përhapjen e krizës në Lindjen e Mesme përmes kontakteve diplomatike me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë“Ndërsa disa po hedhin benzinë në zjarr dhe përpiqen ta çojnë rajonin drejt destabilizimit, ne po përpiqemi të shuajmë flakët dhe të parandalojmë përhapjen e konfliktit”, deklaroi Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se Turqia është e gatshme të përballet me çdo kërcënim ndaj sigurisë së saj.
