5.3 C
Tetovo
E hënë, 20 Janar, 2025
BallinaLajmeFjalimi i Erdogan-it në Kuvendin e Shqipërisë: Lutem që Zoti ta bekojë...

Fjalimi i Erdogan-it në Kuvendin e Shqipërisë: Lutem që Zoti ta bekojë përgjithmonë dashurinë e solidarësinë tonë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan mbajti të hënën mbrëma një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ku ritheksoi se Turqia do ta vazhdojë mbështetjen e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët.

FJALIMI I PRESIDENTIT ERDOGAN NË KUVENDIN E SHQIPËRISË (17 JANAR 2022):

E nderuar Kryetare e Kuvendit, zoti Kryeministër, të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zonja dhe zotërinj!

Në emrin tim, të delegacionit dhe kombit tim, ju përshëndes me dashuri dhe ndjenjat e mia më të përzemërta!

Jam shumë i kënaqur që vizitoj Shqipërinë, vend me të cilin kemi lidhje të forta historike e njerëzore, dhe që me këtë rast jam para jush në Kuvendin e Shqipërisë.

Para tre javësh ne mirëpritëm në Turqi zonjën Kryetare të Kuvendit, Lindita Nikolla. Me të shkëmbyem mendime se si të përmirësojmë marrëdhëniet tona ndërparlamentare gjatë periudhës në vijim. Ne ramë dakord që rritja e kontakteve dhe bashkëpunimit ndërmjet deputetëve tanë do të japë një kontribut serioz në zhvillimin e marrëdhënieve tona.

Një nga marrëveshjet e para të miqësisë që ne kemi nënshkruar në vitin 1923, menjëherë pas shpalljes së Republikës së Turqisë, ishte me Shqipërinë. Kjo marrëveshje, e cila quhet “Traktati i Miqësisë së Përjetshme dhe Bashkëpunimit”, zbulon se marrëdhëniet tona nuk janë realisht vetëm nga shteti në shtet, por nga personi në person. Edhe pse ka kufij të tjerë mes nesh, Shqipëria është fqinji ynë në zemër.

Marrëdhëniet tona janë të rrënjosura thellë në një të kaluar të gjatë dhe të fortë gati 6-shekullore. Gjurmët e historisë sonë të përbashkët janë fare të dukshme jo vetëm në jetën politike, por edhe në banesat e gurta popullore të Shkodrës, në shtëpitë me një mbi një dritare të Beratit dhe në arkitekturën e Xhamisë së Et’hem Beut. Lidhjet tona miqësore dhe farefisnore po zhvillohen dita-ditës mbi këtë themel të fortë.

Falë përpjekjeve të qeverive tona, ne kemi një klimë shumë të mirë për zhvillimin e bashkëpunimit mes vendeve tona. Shprehje e kësaj tabloje është edhe shpallja e njëanshme e Turqisë nga zoti Kryeministër (Edi Rama) si një nga pesë partnerët strategjikë të Shqipërisë në vitin 2013.

Me “Deklaratën e Përbashkët Politike” që nënshkruam me rastin e vizitës zyrtare të Kryeministrit Rama në Turqi, në fillim të vitit të kaluar, ne i kemi ngritur zyrtarisht marrëdhëniet tona në nivelin e “Partneritetit Strategjik”. Tani e tutje, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për paqen, prosperitetin, qetësinë dhe stabilitetin e vendeve tona, rajonit tonë dhe mbarë botës. Kur Turqia dhe Shqipëria të bashkojnë fuqitë, me lejen e Allahut, ne s’do të kemi më asnjë problem të pazgjidhshëm, asnjë vështirësi apo pengesë të pakapërcyeshme dhe asnjë objektiv të paarritshëm.Mjafton që ne mbrojmë me vendosmëri vëllazërinë tonë, qasjen tonë gjithëpërfshirëse, objektivat tona të përbashkëta dhe përkushtimin tonë për të çuar përpara vazhdimisht bashkëpunimin tonë. Unë sinqerisht besoj se bashkërisht nuk do të lejojmë askënd ta prishë këtë fotografi të bukur dhe të gëzueshme.

E nderuar Kryetare e Kuvendit, të nderuar deputetë!

Krijimi i një mjedisi paqeje të përhershme, besimi dhe stabiliteti në Ballkan, garantimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme turke. Në këtë aspekt, ne ndjekim me konsideratë të lartë rolin konstruktiv që Shqipëria luan në Ballkan.

Krahas lidhjeve tona historike, aleanca jonë në kuadër të NATO-s ka gjithashtu një vend të rëndësishëm në dimensionin e sigurisë së marrëdhënieve tona. Ne kemi një solidaritet shembullor me Shqipërinë po ashtu nën ombrellën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili është i vetmi forum ballkanik që pasqyron vullnetin e përbashkët dhe zërin unik të Ballkanit. Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është një tjetër platformë rajonale me të cilën ne demonstrojmë solidarësinë tonë. Roli e luajtur së bashku nga Turqia dhe Shqipëria në rrënjosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon mund ta shohim fare qartë e fuqishëm qoftë edhe vetëm në këta shembuj.

Përfitoj nga ky rast që ta urojë Shqipërinë për anëtarësimin e përkohshëm më 1 janar 2022 në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ne do të kemi kënaqësinë të ndajmë me Shqipërinë përvojat që kemi pasur gjatë kësaj detyre, të cilën edhe ne e kemi kryer në të kaluarën.

Të dashur vëllezër!

Sikurse gjithmonë, kombi turk është edhe sot pranë popullit shqiptar me të gjitha forcat dhe mundësitë e tij. Dhe në fakt, Turqia ishte vendi i parë që dha ndihmën më efektive e më të sinqertë për Shqipërinë si në tërmetin e vitit 2019 ashtu edhe më pas gjatë pandemisë së koronavirusit që shpërtheu në vitin 2020.

Prillin e kaluar, ne vumë në shërbim të vëllezërve tanë shqiptarë Spitalin e Miqësisë Turqi-Shqipëri në Fier, të cilin e përfunduam në një kohë rekord prej 68 ditësh. Kurse sot dorëzuam shtëpitë që ndërtuam në LAÇ për familjet e prekura nga tërmeti. Ne do të jemi me të vërtetë të lumtur nëse këto kontribute i kanë lehtësuar sadopak vuajtjet e vëllezërve tanë shqiptarë. Me shtetin tonë, organizatat tona joqeveritare dhe botën tonë të biznesit, ne do të vazhdojmë gjithmonë të qëndrojmë pranë Shqipërisë në çdo fushë që ajo ka nevojë.

Po kështu ne sinqerisht besojmë se edhe miqtë tanë shqiptarë do të kujdesen për ndjeshmëritë e Turqisë. Lufta kundër organizatës terroriste guleniste (FETO), e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë dhe vuri në shënjestër demokracinë tonë, bombardoi Parlamentin tonë dhe masakroi popullin tonë, renditet në krye të ndjeshmërive tona. Fatkeqësisht, anëtarët e kësaj organizate, edhe pse kanë kaluar 5 vjet nga tentativa për grusht shteti në vendin tonë, vazhdojnë të jenë të pranishëm në arsimin, shëndetësisë, institucionet fetare dhe në një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat të Shqipërisë.

Ne dëshirojmë që ju të mos harroni kurrë se:

Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën, edhe nëse ajo është e hidhur. Është detyrë e vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit tonë strategjik të shprehim sinqerisht ato që ne konsiderojmë si të vërteta për çështjen e FETO-s. Pavarësisht se me çfarë maske ju paraqitet, kjo strukturë është një bandë tradhtare që, si një gjarpër helmues, në fund pickon e do të pickojë edhe ata që e kanë marrë nën sqetull. Sikurse në Turqi, institucionet dhe qarqet e lidhura me FETO-n kanë agjenda të fshehta edhe këtu, andaj nuk duhet të keni as më të voglin dyshimi se ata do t’i zbulojnë fytyrat e tyre të vërteta kur të vijë koha.

Njëlloj si Turqia dhe shumë vende të tjera, sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, aq më të sigurt mund të shikoni drejt të ardhmes suaj. Nëse nuk veproni menjëherë, është e pashmangshme që tentativat e poshtra të kësaj strukture në vendin tonë të përsëriten edhe këtu. Ne e jetuam dhe dëshmuam këtë realitet duke paguar një çmim të rëndë. Prandaj e kemi për detyrë t’i themi këto gjëra që edhe ju të mos përballeni me të njëjtin fat.

Ne presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme dhe totale kundër strukturës së FETO-s në vend dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen për këtë arsye. Teksa ka kaq shumë çështje mes nesh për të biseduar, diskutuar dhe ndërmarrë hapa drejt së ardhmes së bashku, ne jemi të trishtuar që humbim kohë me një çështje të tillë. Shpresojmë që kjo çështje të mos jetë më pjesë e agjendës sonë në kontaktin tonë të radhës.

Duke e mbyllur fjalën time me këto mendime, përshëndes edhe një herë me respekt e dashuri deputetët e nderuar të Kuvendit Fisnik të Shqipërisë dhe në praninë tuaj, mbarë popullin shqiptar. Uroj që miqësia dhe vëllazëria ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë të vazhdojë përgjithmonë. Lutem që Zoti ta bekojë përgjithmonë dashurinë dhe solidaritetin tonë.

Faleminderit, rrofshi e qofshi nën kujdesin e Allahut!

Mbetshi me shëndet!

https://www.trt.net.tr/shqip/ballkani/2022/01/18/erdogan-ne-kuvendin-e-shqiperise-lutem-qe-zoti-ta-bekoje-pergjithmone-dashurine-e-solidaresine-tone-1764410

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments