Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, është nisur për në Rusi dhe pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, ka raportuar mediumi Axios, tek ka cituar burime të afërta dhe të dhëna nga shërbimi i fluturimeve Flightradar24.Ky do të jetë takimi i tretë midis Witkoffit dhe Putinit, ku temë qëndrore do të jenë marrëdhëniet SHBA-Rusi, por edhe bisedimet mbi luftën në Ukrainë.
Udhëtimi i Witkoffit po zhvillohet një ditë pas marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve në mes dy vendeve, me Rusinë që vendosi për lirimin e qytetares ruso-amerikane Ksenia Karelina.
Në këmbim, SHBA-ja kishte liruar qytetarin gjermano-rus Arthur Petrov, i cili ishte arrestuar në Qipro gjatë vitit 2023 me kërkesën e Departamentit të Drejtësisë.
Kohëve të fundit, zyrtarë të lartë nga administrata amerikane, përfshirë edhe vetë presidentin Trump, kanë shprehur frustrim me refuzimin e Rusisë për të pranuar kushtet e armëpushimit në Ukrainë.