Janë shumë faktorë që ndikojnë në uljen e natalitetit, e ndër to është edhe emigrimi si dhe rendja pas karrierës, tregon gjinekologia Merale Rexhepi. Për të gjetur më shumë përgjigje për këtë, ajo mendon se shteti duhet të bëjë analiza më të thella, gjersa na tregon edhe një karakteristikë tjetër, se po rritet numri i lindjeve tek nënat mbi 35-vjeçe.Rexhepi po ashtu tregon se numri i lindjeve natyrale është më i madh se ai i lindjeve cezariane, gjersa edhe vetë mjekët insistojnë për lindje në rrugë natyrale.
Gjinekologia Rexehpi, që po ashtu është edhe kryeshefe e repartit, zbulon se numri i lindjeve në gjinekologjinë e Tetovës është rritur për 3.5%, krahasuar me vitin e kaluar. Në 2023-tën kishte 980 lindje, ndërsa deri më tani numri i lindjeve është 1013, numër që deri në fund të vitit mund të rritet edhe më.
Arsyet se pse është rritur numri i lindjeve në repartin e gjinekologjisë në Tetovë, Rexhepi e sheh te përmirësimi i kushteve, siç janë dhomat e veçanta për lehonat, në të cilat gjatë gjithë kohës mund të qëndrojnë edhe bashkëshorti ose familjarët.