Presidenti Joe Biden u dha të shtunën Medaljen Presidenciale të Lirisë 19 personaliteteve të politikës, sporteve, industrisë së argëtimit, grupeve të të drejtave civile, aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të shkencave.
Mes atyre që morën medaljen më të lartë civile në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë ishin edhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton si dhe filantropi demokrat George Soros.
Shtëpia e Bardhë tha se të dekoruarit kanë dhënë “kontribut shembullor për begatinë, vlerat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen ndërkombëtare dhe përpjekje të tjera domethënëse shoqërore, publike dhe private”.
Por miliarderi Elon Musk, një aleat i ngushtë i presidentit të zgjedhur Donald Trump, ka kritikuar vendimin e Presidentit Joe Biden për t’i dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë filantropit miliarder George Soros.