Aleanca për Shqiptarët reagon ndaj rritjes enorme të çmimit të derivateve dhe propozon disa masa me qëllim që në këtë kohë të krizës energjetike të mbrohen konsumatorët.
“Në fakt ne kemi propozuar ulje të TVSH nga masa 18% në atë 5%, uljen e akcizës për benzinën nga 22,00 denarë në 15,00 denarë e për dizelin nga 15,50 denarë në 9,00 denarë, si dhe uljen e marzhës së tregtimit në një vlerë fikse jo më shumë se 3,00 denarë. Mirëpo kjo qeveri nuk i merr parasysh këto propozime e sugjerime të ASH dhe ka ofruar masa gjysmake të cilat nga 01.06.2022 i ka hequr dhe të njëjtat edhe pse ishin gjysmake tani më nuk aplikohen. Një propozim tjetër i ASH që është propozuar e nuk është marrë parasysh nga kjo qeveri, është ajo që në kohën kur çmimet e derivateve të naftës në tregjet botërore shënojnë rritje te larta, e duke e ditur se një nga komponentët kryesore për formimin e çmimit të tregtimit të derivateve të naftës janë çmimi i këtij energjensi në tregjet botërore dhe kursi i këmbimit të dollarit në bursë, ASH ka propozuar ngrirje të TVSH në një masë të limitit maksimal dhe pavarësisht se si do të lëviznin çmimet e derivateve të naftës në tregjet botërore, pjesa e TVSH që do të paguanin konsumatorët për këto derivate të fiksohej në një vlerë fikse. Por edhe këtë masë kjo qeveri nuk po e zbaton dhe nuk e merr parasysh”, deklaroi deputeti i ASH-së, Elmi Aziri