Për 32 vite i kishin munguar Pallatit të Kulturës, tetovarëve por edhe të gjithë adhuruesve të muzikës së tyre nga të gjitha trojet shqiptare.
Mbrëmë Elita 5 sërish shkaktoi “tërmet”, kurse kësaj radhe epiqendra ishte në Tetovë.
Duket se paraqitja e mbrëmshme para publikut tetovar ka emocionuar edhe vet anëtarët e grupit Elita 5. Arif Ziberi, përmes një postimi në Facebook, pranoi se atmosfera ka shkaktuar ndjenja të papërshkrueshme.
“Çuditërisht mbrëmë ishim më të emocionuar se herën e parë kur ishim në skenën e Pallatit. Dashuria ishte në ajër, e kjo ndoshta na bënte të pasigurtë, se ndoshta nuk do të mundemi t`ua kthejmë atë dashuri” – ka shkruar Ziberi në profilin e tij në Facebook.
Rrjetet sociale “vlojnë” me komente pozitive për paraqitjen e shkëlqyer të Elita 5 në Tetovë.
Por, një postim i Florin Idrizit, mbase pasqyron gjithë këtë karrierë të shkëlqyer ndër vite të rok-grupit legjendar Elita 5.
“Isha 8 vjecar, kur në bodrumin e shtëpisë sonë duke ushtruar Elita 5 këndoja këtë këngë. Sot me vajzën time 12-vjeçare po e këndojmë po të njëjtën këngë, me të njëjtin emocion! Thjesht, Elita 5 një Histori e pabesueshme! U rrita dhe po plakem me ju!” – shkruan Florin Idrizi, postim ky që është shpërndarë nga të gjithë grupi Elita 5.
Tetova përjetoi një nga koncertet më emocionuese dhe të paharrueshme në historinë e saj artistike mbrëmë, më 31 maj 2024 – thuhet në postimin në Facebook të Qendrës për Kulturë në Tetovë.
“Elita 5, grupi legjendar tetovar, riktheu magjinë në skenën e Qendrës së Kulturës, duke risjellë hitet që kanë bërë histori në repertorin e muzikës shqiptare” – thonë nga Qendra për Kulturë në Tetovë./tvklan.mk