Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar pas eliminimit nga Izraeli të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Biden thekson në deklaratën e tij për mediat se Hassan Nasrallah dhe grupi terrorist që ai drejtonte, Hezbollah, ishin përgjegjës për vrasjen e qindra amerikanëve gjatë një sundimi terrori prej katër dekadash.
“Vdekja e tij nga një sulm ajror izraelit është një masë drejtësie për viktimat e tij të shumta, duke përfshirë mijëra amerikanë, izraelitë dhe civilë libanezë”, thekson Biden.
Presidenti amerikan nënvizon më tej se SHBA mbështesin të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten kundër grupeve terroriste si Hezbollahu, Hamasi dhe Houthi.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten kundër Hezbollahut, Hamasit, Houthis dhe çdo grupi tjetër terrorist të mbështetur nga Irani. Vetëm dje, i drejtova Sekretarit tim të Mbrojtjes që të përmirësojë më tej qëndrimin mbrojtës të forcave ushtarake amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme për të penguar agresionin dhe për të zvogëluar rrezikun e një lufte më të gjerë rajonale”, thotë presidenti amerikan.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë shpjegon se “qëllimi ynë është të de-përshkallëzojmë konfliktet e vazhdueshme si në Gazë ashtu edhe në Liban përmes mjeteve diplomatike”
“Në Gazë, ne kemi ndjekur një marrëveshje të mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Në Liban, ne kemi negociuar një marrëveshje që do t’i kthente njerëzit të sigurt në shtëpitë e tyre në Izrael dhe Libanin jugor. Është koha që këto marrëveshje të mbyllen, që kërcënimet ndaj Izraelit të hiqen dhe që rajoni më i gjerë i Lindjes së Mesme të fitojë stabilitet më të madh”, thekson më tej Biden.