Nën masa të rrepta sigurie dhe në një atmosferë të theksuar fshehtësie u zhvillua të hënën varrimi i kreut të kartelit Jalisco New Generation, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, në një periferi të Guadalajara, në shtetin perëndimor Jalisco. Ai u varros në një arkivol floriri, i rrethuar nga kurora të mëdha me lule, ndërsa zona ishte e mbikëqyrur nga forca të shumta ushtarake. Autoritetet nuk konfirmuan zyrtarisht vendndodhjen e saktë të varrit, duke përmendur arsye sigurie.
Dhjetëra persona shoqëruan kortezhin mortor, shumë prej tyre me çadra të zeza pavarësisht motit me diell, ndërsa një bandë luante muzikë tradicionale meksikane “banda”. Që prej një dite më parë, masat e sigurisë ishin shtuar edhe pranë një shtëpie funerale ku mbërrinin kurora pa emër. Disa prej tyre mbanin simbolin e gjelit, që lidhej me nofkën e tij “Zoti i Gjelave”.
Sipas autoriteteve, Oseguera Cervantes u vra pak më shumë se një javë më parë gjatë një operacioni të ushtrisë meksikane për kapjen e tij. Ai pësoi plagë të shumta nga armë zjarri gjatë një përplasjeje me forcat ushtarake pranë një banese në Tapalpa dhe vdiq gjatë transportimit për në spital. Trupi i tij u dërgua në Mexico City për autopsi dhe më pas iu dorëzua familjes.Vdekja e tij shkaktoi një valë të re dhune në disa shtete të Meksikës, me dhjetëra viktima si pasojë e përplasjeve dhe akteve hakmarrëse. Autoritetet vijojnë operacionet kundër drejtuesve të tjerë të kartelit, ndërsa varrimi i “El Mencho” i shtohet traditës së gjatë të ceremonive misterioze që shpesh shoqërojnë figurat e njohura të botës së krimit në Meksikë.
/vizionplus.tv
