Shtrëngimi i duarve dhe përqafimet, takimet e gjata nëpër kafene, dasmat e kushtueshme janë vetëm disa nga zakonet që humbën ose ndryshuan shkaku i pandemisë, COVID 19. Sociologët vlerësojnë se shprehitë e reja, përfshirë ushqimet shtëpiake, eksplorimet e natyrës dhe prindërimi më konstruktiv do të mbeten edhe pasi pandemia të kalojë.
Zakoni i përshëndetjes që më parë bëhej përmes dhënies së dorës apo përqafimit, sot me vetëdije të plotë kryhet përmes përshëndetjes në largësi. Pastaj një tjetër zakon që pothuajse ndryshoi në saje të kësaj situate është edhe mikpritja. Kur kemi parasysh që në shoqërinë tonë mikpritja është një ndër vlerat më të mëdha historike, faktikisht shumë familje tani mbyllën dyert për miqtë, i anuluan ndejat gazmore, manifestimet.”-tha Ardita Abduli, Sociologe.
Do të bëhet si një shprehi që njerëzit të kthehen në shtëpi shumë më herët. Të mendojnë bukur mirë dhe në mënyrë të arsyeshme, të logjikojnë kur bëjnë planifikime për harxhime vjetore për dasma dhe evente të ndryshme, raste të ndryshme, ditëlindje e gjëra të tjera të cilat thuajse dolën prej ambienteve familjare dhe shtëpiake dhe kaluan nëpër lokale. Tani pra kemi një shtëpi-qendrizëm”-pohoi Ali Pajaziti, Sociolog.
Studimet e bëra në mbarë botën tregojnë se edhe pasi pandemia të kalojë vështirë se do të rikthehet shtrëngimi i duarve, por larja e shpeshtë e duarve do të mbetet shprehi. Mbi 70% e konsumatorëve planifikojnë ta vazhdojnë pazarin “online”. Rreth 70% e njerëzve edhe më tej nuk do të udhëtojnë, derisa të stabilizohen financiarisht. Institucionet arsimore, sidomos të nivelit të lartë do ta kenë si strategji alternative mësimin nga distanca, ndërsa prindërit pritet të mbeten vëzhgues të arsimimit të filloristëve.