Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes konferencës së sotme për shtyp ka shprehur kënaqësinë që Korridori 8 dhe 10d po vazhdon të ndërtohet, pavarësisht që i njëjti realizohet nga një qeveri pa legjitimitet etnik.
Kjo, sipas Ejup Rustemit vetëm sa konfirmon vizionin e qëndrueshëm dhe politikat e tyre afatgjate për përparimin e vendit dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore.
“Nuk mund të mos vëmë në dukje se ata që deri dje e kundërshtonin ashpër këtë projekt dhe kërcënonin me anulimin e tij, sot e quajnë atë një projekt historik. Ky ndryshim qëndrimi tregon vlerën e pamohueshme që Korridori 8 paraqet për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe përmirësimin e lidhjeve të saj me rajonin dhe Evropën”, ka thënë ish drejtori i NP “Rrugë Shtetërore”, Rustemi.
Politikat e BDI-së, shton ai, kanë qenë gjithmonë në interes të qytetarëve dhe siç shton, ”rezultatet e përditshme i bindin ata se akuzat dhe sulmet e drejtuara ndaj nesh nuk ishin asgjë tjetër përveçse përpjekje për të arritur pushtetin pa mbështetje të vërtetë”.
“Përkundër kritikave, ne kërkojmë që ky projekt i rëndësishëm të realizohet me sukses. Gjithashtu, apelojmë për ndërtimin e tunelit në aksin rrugor Gostivar-Bukojçan, duke e vlerësuar këtë si zgjidhjen më të përshtatshme për ndërtimin e Korridorit 8”, ka thënë Rustemi.
BDI, sipas tij kërkon që fondet e përcaktuara për këtë projekt të përdoren sipas planifikimit, pa asnjë pengesë apo vonesë të panevojshme.
“Ky projekt mban vulën e BDI-së, mban vulën e angazhimit tonë për të mirën e përbashkët dhe të ardhmen më të mirë të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë mes tjerash Rustemi.