5.3 C
Tetovo
E diel, 26 Janar, 2025
BallinaLajmeEdi Rama: Beogradi po i fryn zjarrit të një konflikti të armatosur

Edi Rama: Beogradi po i fryn zjarrit të një konflikti të armatosur

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka reaguar ashpër pasi në Beograd po mbahen ditë zie për personat e armatosur që u vranë gjatë konfliktit me Policinë e Kosovës.

“Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur! Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumentave në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike! Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!”, ka shkruar ai.

Kreu i qeverisë së Shqipërisë, ka pasur edhe një porosi për bashkësinë ndërkombëtare.

“Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”.

Sa i përket Kosovës, ai ka thënë se ajo duhet të bashkëpunoj ngushtë me miqtë e saj të pazëvendësueshem dhe aleatët e saj të padiskutueshëm dhe të veproj në harmoni me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti!

Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës sipas Ramës, janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë europian.

/Shqip.com

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments